LEJET për ARSYE të JASHTËZAKONSHME dhe LEJET BIOMETRIKE, Ilias Hronopulos: “Çfarë duhet të bëjnë emigrantët”

Robert GORO
Gazetari Robert Goro (majtas) gjatë intervistës me Ilias Hronopulos, drejtor i drejtorisë së emigracionit në periferinë e Athinës

Në gjithë Greqinë ka filluar që prej një muaji procesi i aplikimeve për leje të jashtëzakonshme në zyrat përkatëse pranë çdo periferie (rrethi).

Në fakt, dhënia e lejes për arsye të jashtëzakonshme është një shans i cili u ofrua para dy vjetësh, por fakti se gjithë aplikimet pranoheshin në një zyrë të vetme, bëri që aty të grumbulloheshin më shumë se 100.000 aplikime, duke e vështirësuar gjithmonë e më shumë menaxhimin e tyre.

Por tani duket se procesi po hyn në binarë. Qeveria greke ka vendosur që aplikimet të bëhen në gjithë Greqinë, dhe në zyrat përkatëse të shërbimit të emigrantëve.

Sipas ekspertëve, kjo është një masë mjaft pozitive, pse do të ketë një shpërndarje proporcionale të aplikimeve, duke mundësuar përshpejtimin e procedurave.

Por drejtori i drejtorisë së emigracionit në periferinë e Athinës, Ilias Hronopulos, thotë se në të njëjtën kohë, krijohen probleme të reja, që përkthehen në më shumë vonesa të mëdha për të gjitha proceset.

“E vetmja gjë pozitive është se tashmë nuk do të jetë nevoja që të gjithë të grumbullohen në një pikë, në Pire, por aplikimet do t’i bëjnë aty ku banojnë.

Sigurisht, fakti që ky proces fillon njëkohësisht me lejet biometrike dhe sistemin e ri kompjuterik, do të na vështirësojë.

Për mendimin tim, është gjë e keqe që fillojnë të dy proceset bashkë (edhe lejet biometrike, edhe lejet e jashtëzakonshme). Sigurisht, këto janë vendime politike, nuk mund të gjykojmë ne për ato – thjesht, unë them mendimin tim si profesionist. Për mendimin tim, kjo duhej të ishte bërë më përpara; unë e kisha kërkuar që vitin e kaluar, ishte fiks periudha e pashkëve.

Ose do të duhej të kishin filluar me biometriket, të kishim avancuar me rinovimin e lejeve të qëndrimit, (sepse 2017-a është viti i rinovimit të lejeve të 2014-s), dhe nga 6 mujori i dytë do të ketë jashtëzakonisht shumë rinovime.

Të drejtat e gjithë emigrantëve që nuk kanë dokumenta – pse edhe ata kanë të drejta – për fat të keq, nuk do të mund të realizohen në mënyrën më të mirë. Sepse, e kuptoni që për ne prioritet kanë emigrantët me dokumenta, unë nuk do t’i mbyll të gjitha takimet për ata që nuk kanë letra dhe do të le ata që janë me leje të skaduara duke i bërë të paligjshëm. Nuk është logjike kjo!

Këto janë pak a shumë problemet që kanë rezultuar. Thjesht, shpresoj që duke mundur të aplikojnë jo më në një pikë, por në 50 pika në të gjithë vendin, volumi i punës do të shpërndahet proporcionalisht, shpresoj gjithashtu që të mos presin kaq shumë kohë, dy e tre vjet, si deri tani...”, thotë Hronopulos.



“Emigrantët që kanë aplikuar në ministri të mos vijnë në periferi”

Sa u përket emigrantëve të cilët kanë aplikuar që prej më shumë se dy vjetësh në zyrën e ministrisë së brendshme në Pire, zoti Hronopulos këshillon që është mirë që ata të mos i tërheqin aplikimet e të aplikojnë nga e para në periferi:

“Ata që kanë aplikuar në ministri, supozohet se ministria pjesën e vet të punës do ta përballojë e do t’i japë drejtim. Dhe meqenëse nuk do të pranojë aplikime të reja, unë besoj se do t’i kryejë shumë më shpejt.

Sigurisht, emigrantëve iu jepet mundësia që të heqin dorë nga ministria dhe të vijnë te ne. Unë do të këshilloja ata që kanë aplikuar në ministri dhe kanë shumë kohë që presin, të mos vijnë te ne në periferi. Le të presin ministrinë, sepse normalisht në ministri do të lëvizë më shpejt shqyrtimi i aplikimit të tyre.

Sepse, po të vijnë te ne, do të futen nga e para në radhë e do të presin. Dhe nuk besoj se kjo do t’ju pëlqejë. Dhe është gjynah”.

“Gjithashtu, ai që nuk ka aplikuar fare, për mendimin tim ka një prioritet në raport me atë që ka aplikuar dhe ndodhet në pritje t’i shqyrtohet kërkesa.

E kuptoj që njerëzit do të ankohen, sepse në fillim do të ketë probleme të mëdha në zonat me përqendrime të mëdha emigrantësh, si në Athinë. Le të mos grumbullohen të gjithë në Athinë. Këtë e provuam me lejet për arsye të jashtëzakonshme që punonim deri tani, domethënë me ata që kishin pasur dikur një leje qëndrimi dhe i rikthejmë në statusin e ligjshëm. Vinin të gjithë në Athinë dhe aplikonin, edhe pse nuk jetonin në Athinë. Dhe këtë ata e bënë pse e dinin që ne do t’iu nxirrnim letra, do ta shqyrtonim menjëherë aplikimin.

Kjo për mendimin tim është strategji e keqe.

Këto jua them i nisur nga përvoja, jo pse ata nuk kanë të drejtë me ligj që ta bëjnë këtë. Por duke mos ardhur të gjithë këtu, lehtësojnë edhe veten, edhe neve që të evitojmë konfuzionin”, përfundon Ilias Hronopulos, drejtor i drejtorisë së emigracionit në periferinë e Athinës.

Gjithsesi, në momentin që bën aplikimin, emigranti fiton një farë statusi që të paktën i garanton qëndrimin në Greqi, deri në momentin e përgjigjes përfundimtare. Kjo është një tjetër anë pozitive, shpjegon Fatos Malaj, ndërmjetës ndërkulturor në qendrën e shërbimit të emigrantëve, Athinë.

“Me vërtetimin që do të marrë pas aplikimit nuk ka mundësi që ta kapë policia apo t’i komunikohet vendimi për largimin nga Greqia. Thjesht, këtu nuk do të jetë më si më përpara, që vonohej 4 dhe 5 vjet. Këtu, me aplikimin që do të bëhet për lejen e jashtëzakonshme, brenda 3 muajve dhe të shqyrtohet aplikimi dhe në qoftë se i përmbush kushtet, do të marrë lejen e qëndrimit”, thotë Malaj.



28 Maj 2017

Madridi dënon “mashtrimin” në Katalonjë

Pavarësia e shpallur e Katalonjë dhe ndërkohë e pezulluar është një “farsë” që do të çojë në “përballje” ekonomike dhe sociale, deklaroi sot kreu i diplomacisë spanjolle.

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2