Enton Abilekaj: 100 ditët e Lulzim Bashës

Enton ABILEKAJ

Lista e Partisë Demokratike pritej të plotësonte, të konfirmonte apo të përgënjeshtronte tezat e Bashës, për një Republikë të Re. Janë njerëzit që zgjedh ata që do të bashkëpunojnë për ta zbatuar projektin politik, por jo vetëm kaq. Mënyra se si përzgjidhen përfaqësuesit politik, do të ishte matësi i besueshmërisë së tezave të hedhura nga Çadra.

Në pamje të parë, listat dukeshin si një ndarje nga e kaluara e Partisë Demokratike. Ish ministrat e PD dhe ish kryetarja e Parlamentit ishin zëvendësuar me emra të rinj. Brenda strukturave kjo lëvizje krijon një boshllëk që nuk mund të plotësohet me figurat e panjohura, mund të shkaktojë probleme në fushatë, mund të hapë akoma më shumë plagët e organizimit. Kjo mbetet një çështje e raportit të PD me zgjedhjet. Raporti me publikun lidhet me 100 ditët e Lulzim Bashës, që nga 18 shkurti, kur u konsiderua se mori vërtetë drejtimin e partisë në dorë.

Në 17 maj, me firmosjen e marrëveshjes, shumë prej mbështetësve të kauzës së zgjedhjeve të lira, kuptuan që nuk ishte ky qëllimi i vërtetë i Çadrës. Marrëveshja nuk parashikoi zgjedhje të lira, por hile që nxirrnin jashtë loje partitë e tjera, përqendrim të organizimit të zgjedhjeve nga dy partitë e mëdha, tjetërsim të vullnetit të popullit nga administrimi monopolist. Dy të mëdhenjtë do të luajnë tashmë në një terren të paqartë ku do të fitojë më i pasuri dhe më i forti. Me qëndrimet pas marrëveshjes, Basha la të kuptohet se nuk kishte hequr dorë nga qëllimi, por vetëm nga mjetet. Nuk do të ndiqej rruga e rezistencës, por rruga politikisht korrekte që praktikisht është një vazhdim i zgjedhjeve fiktive.

Deri në orët e para të 27 majit, diçka kishte mbetur nga justifikimet. Lista rrëzoi edhe rrënojat që kishin mbetur nga Republika e Re, e ndau përfundimisht PD nga shoqëria civile që i besoi kauzën e saj për 90 ditë. Jo vetëm se lista nuk u votua as në kryesi, jo vetëm se ishte një listë e hartuar nga 1 apo 2 persona. Aty ra vetëm parimi i demokracisë brenda PD, por nëpër emrat e listës, kanë rënë gjithë kauzat e opozitës. Ka rënë dekriminalizimi, investimi 3-vjeçar i opozitës. Emri i Dashamir Tahirit që u skualifikua prej ligjit që imponoi opozita, e kompromenton luftën 3-vjeçare që gjeti mbështetjen e publikut dhe e vuri Ramën në vështirësi.

Lulzim Basha vetëm pak ditë përpara marrëveshjes, doli në mbrojtje të Jozefina Topallit dhe Majlinda Bregut, duke deklaruar se mendimi ndryshe është vlerë në Partinë Demokratike. Ishin ditët e fundit të çadrës, kur ende nuk kishte zhgënjyer askënd. Sot ai e flaku këtë parim. Asnjë përfaqësues i mendimit ndryshe nuk është në listë, pavarësisht se askush prej tyre nuk votoi ndonjëherë kundër vendimit te grupit parlamentar, pavarësisht se me mendimin alternative ata mund të përfaqësonin shumë më tepër demokratë se emrat e panjohur dhe pa kontribute që i kanë zëvendësuar.

Në këtë grup, krejt i veçantë në mënyrën e tij, ishte Astrit Patozi, për të cilin të gjithë kanë deklaruar se ishte deputeti më cilësor i PD. Ai ishte imazhi tjetër i opozitës, që tregonte si do të ishte PD nëse korriku i 2013 do të kishte nxjerrë një rezultat tjetër brenda Partisë. Nëse largimin e ish ministrave mund ta justifikonte me konsumimin, largimin e Patozit jo, ai ishte investim. Largimi i tij, i rrëzon të gjitha justifikimet për zhdukjen e mendimit ndryshe. Ashtu siç e tha vetë Patozi, ishte akti i shndërrimit të Partisë në një biznes privat.

Lista gjithashtu demoralizon aktivistët, intelektualët apo të rinjtë që angazhohen në kauza të përbashkëta apo jo më opozitën. Në vend të tyre, janë disa punonjës administrate publike apo private, që heshtin derisa të sigurojnë vendin në listë, që rreshtohen kur i emëron partia, që i besojnë interesit personal në vend të të mirës publike. Këta janë emra që marrin nga partitë dhe nga shoqëria dhe nuk kanë c të japin përveç besnikërisë. Lista ishte një goditje ndaj angazhimit qytetar, Sazan Guri nuk është argument kundër.

Pas 100 ditëve të para të lidershipit, Basha gjendet në të njëjtat pozita morale me Ramën. Kauza e Çadrës është rrënuar nga themelet. Listat ishin përqeshja cinike që partitë i bëjnë publikut që besoi ndonjëherë se kauzat mund t’I realizojë nëpërmjet tyre, pa e shkatërruar sistemin, përqeshje për shoqërinë civile që u investua në krah të secilës parti, për të mbrojtur një kauzë të përbashkët, me shpresën që kështu mund të ndryshonte vendi. Nuk ishte zhgënjim, ishte konfirmim, se këto parti janë në shërbim të interesave të oligarkisë, të kastës ekonomike që kontrollon politikën dhe duhen trajtuar njësoj.

28 Maj 2017

Madridi dënon “mashtrimin” në Katalonjë

Pavarësia e shpallur e Katalonjë dhe ndërkohë e pezulluar është një “farsë” që do të çojë në “përballje” ekonomike dhe sociale, deklaroi sot kreu i diplomacisë spanjolle.

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2