Ish kryeministri grek, Papademos, plagoset në një atentat me zarf bombë

Tribuna

Ish kryeministri i Greqisë, Lucas Papademos ka marrë plagë të shumta, por jo të rrezikshme për jetën, si rezultat i një shpërthimi brenda makinës së tij.

Shpërthimi ndodhi kur Papademos po hapte një zarf, i cili sipas të gjitha gjasave kishte brenda lëndë eksplozive.

Ishte ora 18,35, në kryqëzimin e rrugëve Marnis dhe 3 shtatori, në qendër të Athinës.

Papademos, drejtuesi i mjetit dhe një nga shoqëruesit u dërguan në spital.

Ish kryeministri ka marrë plagët më të shumta në kraharor dhe në fytyrë. Në orët e vona të mbrëmjes ai u fut në sallën e operacionit, për t’iu pastruar dhe mjekuar plagët. Në një njoftim nga spitali thuhet se gjendja shëndetësore e zotit Papademos është e qëndrueshme dhe nuk përbën shqetësim.

Atentati u dënua nga gjithë forcat politike të Greqise. Kryeministri Tsipras, nga Brukseli ku ndodhet për samitin e NATO-s, shkruajti në Twitter se sai shprehte indinjatën për sulmin kundër ish kryeministrit dhe i uronte shërim të shpejtë, atij dhe shoqëruesve.



Në kërkim të autorëve

Zona ku ndodhi shpërthimi, fare pranë sheshit Omonia, u bllokua që në momentin e parë nga policia. Ekspertë të shërbimit antiterror po “krehin” një rreze të gjerë, për të gjetur shenja që do t’i ndihmojnë në zbardhjen e atentatit.

Sipas burimeve të shtypit, edhe pse zarfi kishte kaluar në dy kontrolle sigurie, nuk kishte rezultuar i dyshimtë.

Ndërsa vlerësimet e para sugjerojnë se zarfi bombë ka ngjashmëri me ato që u dërguan dy muaj më parë, në zyrën e ministrit gjerman të financave, Wolfgang Schauble dhe në selinë e misionit të FMN-së në Paris.

Atëherë përgjegjësinë e kishte marrë organizata guerrile greke, Komploti i Celulave të Zjarrit.

Ende nuk ka një marrje përgjegjësie për atentatin ndaj ish kryeministrit Papademos.



Njeriu që mbajti Greqinë në eurozonë

69 vjeçari Lucas Papademos, aktualisht është kryetar i Akademisë së Shkencave të Athinës.

Pasi kishte shërbyer më parë si guvernator i Bankës së Greqisë dhe zëvendëspresident i Bankës Qendrore Europiane, Papademos u thirr në nëntor 2011 që të drejtonte qeverinë me bazë të gjerë e cila mbajti barrën e rëndë të miratimit të një pakete të re masash shtrënguese.

Miratimi i asaj pakete e shtoi pakënaqësitë mbarëpopullore, që u shpreh me protesta të shumta e të dhunshme. Por megjithatë, Lucas Papademos, për periudhën 6 mujore që shërbeu në postin e kryeministrit, është cilësuar si “njeriu që e mbajti Greqinë në zonën e euros”.

25 Maj 2017

Madridi dënon “mashtrimin” në Katalonjë

Pavarësia e shpallur e Katalonjë dhe ndërkohë e pezulluar është një “farsë” që do të çojë në “përballje” ekonomike dhe sociale, deklaroi sot kreu i diplomacisë spanjolle.

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2