Athinë, incidente gjatë protestave, ndërsa pritet votimi i masave të reja shtrënguese

Tribuna

Qytetarët grekë kanë protestuar të mërkurën kundër paketës së re me masa shtrënguese që po përgatitet të votojë qeveria Tsipras. Mijëra njerëz i janë përgjigjur thirrjes së unioneve sindikale dhe u tubuan para parlamentit, ndërsa vazhdonte greva e përgjithshme 24 orëshe.

Një përfaqësues i komitetit koordinues të grevës tha se sindikatat po i nxisnin qytetarët që të dilnin në rrugë “për një betejë të vërtetë sot dhe neser, kundër memorandumit të turpshëm” që qeveria ka nënshkruar me kreditorët.

Në përfundim të protestave u shënuan incidente të dhunshme.

Grupe të rinjsh që mendohet se u përkasin grupimeve anarkiste, hodhën bomba molotov kundër njësive të policisë në sheshin Syntagma.

Nga ana e saj, policia u përgjigj duke përdorur gaz lotsjellës dhe bomba zhurmuese.

Incidentet vazhduan më pas në rrugicat rreth qendrës së Athinës, ku anarkistët sulmuan patrullat e policisë. Pesë automjete të parkuara në zonën e incidenteve u përfshinë nga flakët, që u shuajtën me ndërhyrjen e zjarrfikësve.

Protesta e sotme u zhvillua në kohën që brenda parlamentit po zhvilloheshin debate të ashpra midis opozitës dhe qeverisë.

Partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re paraqiti një mocion ku kërkonte që projektligji me paketën e re të masave të shpallet antikushtetues. Por ky mocion u rrëzua nga maxhoranca.

Nga debati mungon grupi parlamentar i Agimit të Artë, që u përjashtua për dy ditë pas incidentit të njerit prej deputetëve me një koleg të Demokracisë së Re.

Paketa e masave pritet të votohet të enjten nga 135 deputetët e SYRIZA-s dhe partia e djathtë Grekët e Pavarur, që përbëjnë koalicionin qeveritar të drejtuar nga radikali i majtë Aleksis Tsipras.

18 Maj 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2