Supersfida. Florian Marku vs Stam Bitakos, më 10 qershor

Tribuna

Një ndeshje e shumëpritur dhe e shumëpërfolur do të zhvillohet më 10 qershor në Arenën Olimpike të Boksit në Peristeri të Athinës. Kampioni botëror i Muay Thai-t, Stamatis Bitakos do të ketë përballë në ndeshjen e fundit të karrierës, një tjetër kampion botëror në stilin Kick Boxing, shqiptarin Florian Marku.

Aktualisht janë dy emrat më të njohur në nivel ndërkombëtar të kësaj kategorie të arteve marciale.

38-vjeçari Stamatis Bitakos, i mbiquajturi “mbret i ringut”, ka vendosur që të varë dorezat, pas një karriere 25 vjeçare. Për ndeshjen përmbyllëse, ai ka “sfiduar” emrin më të njohur ndërkombëtarisht, që nuk është tjetër, veç Florian Markut, i mbiquajturi “TNT” (dinamiti), për shkak të fuqisë dhe energjisë që derdh në ring.

Siç vihet në dukje në një njoftim për shtyp, dy sportistët do të përplasen brenda një kafazi 8 këndësh dhe mijëra spektatorë presin me gjak të ngrirë rezultatin e kësaj supersfide midis “të kaluarës së lavdishme” (Bitakos) dhe “të ardhmes së ndritur” (Marku).

Pas deklaratave shpërthyese të publikuara në rrjetet sociale, që pasuan “kyçjen” e ndeshjes, dy “gladiatorët” u gjendën krah për krah në konferencën për shtyp, që e koordinonte organizatorja Gogo Bitaku.

Klima ndërmjet të dy gjigantëve ishte miqësore dhe në fjalët e pakta që shkëmbyen me njeri-tjetrin premtuan që të japoin gjithë energjitë e tyre, me shpirt luftarak, kështu që publiku të përjetojë një spektakël unikal.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Stamatis Bitakos tha se ai nuk do të mund të përzgjidhte si kundërshtar për këtë ndeshje kaq domethënëse, asnjë tjetër përveçse më të mirit, pse vetëm kështu do të donte ta mbyllte karrierën. Ai shtoi me nënkuptim që nuk do të jetë kjo ndeshja e fundit, po revanshi “që do të pranojë të japë Marku, pas humbjes që do të pësojë më 10 qershor!”... Jam i gatshëm që ndeshjen e dytë ta bëjmë ku të dojë Floriani, madje edhe në Tiranë”, tha Bitakos.

Nga ana e vet, Florian Marku, tha se kjo është një ndeshje midis Markut dhe Bitakos dhe jo midis Greqisë dhe Shqipërisë. Ai shtoi se e konsideron Bitakos-in shumë të fortë dhe me shpirt luftarak, por theksoi se nuk do t’iu rezistojë goditjeve të shqiptarit e se ndeshja do të përfundojë që në raundin e parë.



Marku: Gjaku im shqiptar nuk ndryshon; Greqia, atdheu im i dytë

Florian Marku bëri një gjest që u komentua gjatë dhe pozitivisht në Greqi. Në janar 2017, ndërsa vendi po buçiste nga “skandali” i ushtarëve të rinj që dolën fotografi duke bërë simbolin e shqiponjës, Marku u paraqit në ring duke mbajtur të dy flamujt, shqiptarin dhe atë grek. Ishte menjëherë pas fitores ndaj Hassan Muhareb, më 28 janar 2017, në Selanik.

Ja se si e shpjegoi Florian Marku reagimin e tij, që u duartrokit nga mijërat e spektatorëve rreth ringut, por dhe nga opinioni grek:

“Mund të jem shqiptar dhe të jem lindur në Shqipëri. Po Greqinë e dua si atdheun tim të dytë. Këtu jam rritur, këtu banon familja ime, miqtë e mi janë të gjithë këtu. Mirëpo gjaku im nuk ndryshon, është gjak shqiptar, por edhe Greqinë nuk e hedh posht me asgjë në botë”, tha Floriani pasi zbriti nga ringu dhe publiku shpërtheu në duartrokitje.



No Limits XXIX

“Past vs Future” (E shkuara kundër të Ardhmes)

Bitakos vs Marku

Vendi: Arena Olimpike e Boksit Peristeri - Athinë

10/6/2017, ora 20:00 (Pre Game 18:00)

Çmimi i biletave:15€; 25€; 20€; 30€

Shitja paraprake: Ticket365.gr

17 Maj 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2