Brigitte Macron, Zonja e Parë pa komplekse

Ajo pranon pa asnjë kompleks 24 vitet që e ndajnë me ish-nxënësin e saj. Brigitte Macron, 64 vjeçe, thyen të gjitha kodet me çiftin e pandashëm.

Francezët e zbuluan në prill të vitit 2016 në momentin kur Emmanuel Macron, i zgjedhur kurrë më parë dhe i ri në politikë, prezantoi lëvizjen e tij “En marche” që do ta çonte në fitore për t’u bërë, në moshën 39-vjeçare, presidenti më i ri i historisë së Francës.

Që prej asaj kohe, revistat e famshme përfituan nga ky çift i pazakontë që ngjalli kuriozitet, në Francë ashtu dhe jashtë vendit.

Ajo, që të afërmit e saj e thërrasin “Bibi” ka bërë tashmë dhjetëra poza, fotografuar dorë për dore me bashkëshortin e saj në rrugët e Parisit, me rroba banjo në plazh…

Gjithmonë e nxirë, kjo bjonde admiruese e stileve chic dhe rock shfaqet e buzëqeshur dhe e çliruar.

Historia e saj me Emmanuel Macron, që ajo e ka treguar me zemër të hapur disa herë, e ka theksin tek romani i dashurisë kalorsiake.

Emmanuel Macron e e ka takuar Brigitte Auziere gjatë një pjese teatrale që ajo zhvillonte çdo të premte në liceun “La Providence”në Amiens, qytet i vogël në veri të Francës.

Mësuese letërsie, në atë kohë 39 vjeçe, është mahnitur plotësisht nga inteligjenca e nxënësit të ri 15-vjeçar.

”Një vit më pas, ai theu tabutë dhe më shprehu dashurinë e tij. Në moshën 17-vjeçare, Emmanuel më deklaroi se “çfarë do që do të ndodhë, unë do të martohem me ju!”, tregon ajo.

Brigitte, vajza e vogël e një familjeje me gjashtë fëmijë, Troneux, familje e njohur në Amiens për makarona dhe çokollata.

Anëtar i Rotary, babai i Brigitte, Jean, ka drejtuar gjithashtu Ligën e Tenisit.

Kur filluan të përhapen zëra për marrëdhënien e tyre, çështja u përkeqësua në Amiens, ku të dy u lindën. Si mësuese, nga një familje e vlerësuar, ishte tashmë e martuar dhe mama e tre adoleshentëve.

Në librin e saj “Emmanuel Macron, një djalë i ri kaq perfekt”, gazetarja Anne Fulda tregon se prindërit Macron i kishin kërkuar 40-vjeçares të ndërpriste takimet me djalin e tyre deri në moshën 18-vjeçare.

“Nuk mund t’iu premtoj asgjë”, i ishte përgjigjur e interesuara.

“Kur vendos diçka, e bëj”, tregon Brigitte Macron në “Strategjia e meteorit”, një dokumetar kushtuar bashkëshortit të saj.

Në vitin 2006, ajo divorcohet me bashkëshortin bankier dhe rimartohet një vit më pas me Macron duke u zhvendosur në Paris për të punuar si mësuese.

Nga martesa e parë me bankierin, Andre Louis Auziere, Brigitte pati tre fëmijë, Sebastien, sot inxhinier, Laurence, kardiologe dhe Tiphaine, avokate.

Në vitin 2015 hoqi dorë nga karriera, për t’u fokusuar te bashkëshorti, që në atë kohë ishte ministër Ekonomie.

Në komentet apo talljet për diferencën e moshës, ajo u përgjigj disa javë më parë me humor: “Duhet që Emmanuel të zgjidhet këtë vit ndryshe ju do të imagjinoni kokën time në pesë vjet!”.

“Ajo nuk ka asnjë rol, ajo nuk ka marrë pjesë në komitetet politike”, konfirmoi së fundi François Patriat, një ish-socialist i konvertuar në lëvizjen En Marche !.

Në një Francë ku bashkëshortet e presidentëve kanë pasur fate të ndryshme dhe shpesh të vështira, zbukuruar nga misionet konfuze, kandidati i qendrës njoftoi se dëshiron të krijojë një status zyrtar për Zonjën e Parë.

Brigitte Macron është shprehur tashmë për rolin e saj të ardhshëm duke përmendur veçanërisht vullnetin për të investuar në arsim dhe kulturë.

Të dy ata janë kujdesur që marrëdhënia e tyre të mos përkufizohet si ndonjë lloj skandali, duke e përshkruar martesën si të pazakonshme, por si një familje moderne ku mbizotëron dashuria.

(ATSH)

10 Maj 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2