Liria e medias, e kërcënuar edhe në vende demokratike

Deutsche Welle

"Reporterë pa kufij" prezantoi raportin për lirinë e shtypit 2017. Në të gjithë botën vihet re një përkeqësim i gjendjes së lirisë së shtypit. Shqipëria renditet në këtë raport e 76-a, Kosova e 82-a, FYROM e 111-a.

Retorika armiqësore kundër medias e politikanëve udhëheqës, ligjet më të ashpra, por edhe influenca e politikës edhe në vende demokratike kanë sjellë përkeqësimin e gjendjes së mediave në të gjithë botën. Ky është konkluzioni i organizatës "Reporterë pa kufij" në raportin e publikuar, 2017.



Nënvlerësim i medias

Në vende si SHBA, Polonia dhe Britania e Madhe liderë të politikës e shfaqin hapur përçmimin që kanë për gazetarët. Përkeqësimin e gjendjes e ka shkaktuar edhe sjellja e paskrupullt ndaj medias e qeverive të vendeve si Egjipti, apo Burundi. Në Turqi po ashtu është përkeqësuar gjendja e gazetarëve dhe medias, pas një vale të pashembullt represioni që nga përpjekja për puç ushtarak verën e kaluar. Ndërsa në vendet e krizës apo aty ku luftohet, si Siria, Jemeni apo Libia gazetarët ndeshen me kërcënimin për jetën. Në vende të tjera grupet islamiste, si "Shteti Islamik" kërcënojnë rregullisht jetën e gazetarëve si Afganistan, ku talibanët vranë vitin e kaluar 10 gazetarë gjatë punës.

Kreu i organizatës "Reporterë pa kufij", Michael Rediske është shprehur, se "shokuese është që edhe në vendet demokratike ka kufizime të pavarësisë së medias dhe punës së gazetarëve, në vend që liria e shtypit të mbahet lart, si një vlerë themelore."



Përkeqësim në vendet demokratike

Shqetësim paraqet gjendja edhe në SHBA që renditet në vendin e 43 këtë vit. Nga gjysma e dytë e vitit të kaluar janë shtuar proceset juridike kundër gazetarëve investigativë dhe "zbuluesve" të skandaleve në SHBA. Presidenti Donald Trump me fyerjet e pandalura ndaj mediave kritike distancohet nga një traditë e vjetër e SHBA-së si mbrojtësja e lirisë së shtypit, kritikon organizata "Reporterë pa kufij".

Edhe në Francë gazetarët ndeshen me fyerje të politikanëve gjatë fushatës zgjedhore, vëren raporti. Ndërsa në Poloni, qeveria nacional-konservatore ka vënë nën kontroll televizionin publik, thuhet në raportin e "Reporterëve pa kufij". Më shumë se 22 gazetarë kanë humbur punën, që nga ndërrimi i pushtetit në Poloni. Hungaria po ashtu ulet në renditje, dhe kritikohet fakti, që në tetor 2016 një oligark i afërt me qeverinë bleu grupin mediatik "Mediaworks", tek i cili dy javë më parë u mbyll gazeta opozitare "Nepszabasag" dhe ku bëjnë pjesë 12 gazeta rajonale e një gazetë sportive.

Vendin e parë në listë për gjendjen e mirë të lirisë së shtypit e zë Norvegjia dhe vendet nordike renditen pas saj, si Suedia e Finlanda. Gjermania renditet e 16-ta, pranë Luksemburgut dhe Sllovakisë. Rusia nuk ka ndryshuar renditje, ajo vazhdon të zënë vendin e 148-të në renditje dhe organizata kritikon faktin, që qeveria vepron ashpër kundër mediave kritike.



Renditja e Europës Juglindore

Në rajonin e Europës Juglindore përkeqësim ka pasur Kroacia, që ka humbur 11 vende, duke u renditur e 74-a. Organizata kritikon faktin që qeveria kroate vitin e kaluar hoqi nga puna drejtorin e përgjithshëm të televizionit publik, HRT dhe e zëvendësoi atë me një proqeveritar.

Shqipëria renditet në vendin e 76, me një përmirësim prej 6 pikësh, krahasuar me vitin e kaluar, kur renditej në vendin e 82-të. Edhe Kosova ka një përmirësim të lirisë së shtypit, ajo renditet këtë vit në vendin e 82, ndërsa vitin e kaluar zinte vendin e 90-të. Maqedonia zë vendin e 111-të, megjithë një përmirësim me 7 pikë nga viti i kaluar. Megjithatë në grafikën globale të lirisë së shtypit vendet e Ballkanit janë të ngjyrosura me ngjyrën e portokallisë që tregon se këto vende ka probleme të ndjeshme me lirinë e shtypit. Vendet ku gjendja është e lirisë së shtypit është e kënaqshme kanë një renditje me ngjyrë të verdhë, ato me gjendje të mirë, zbardhojnë.

26 Prill 2017

Madridi dënon “mashtrimin” në Katalonjë

Pavarësia e shpallur e Katalonjë dhe ndërkohë e pezulluar është një “farsë” që do të çojë në “përballje” ekonomike dhe sociale, deklaroi sot kreu i diplomacisë spanjolle.

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2