Lulzim Basha: “PD, partia e vokacionit europian të shqiptarëve. Qeveria, e dehur nga avujt e drogës”

Tribuna

Partia Demokratike ka lindur si partia perëndimore e shqiptarëve, si partia e vokacionit europian dhe euroatlanik të një kombi properëndimor.

Ku e gjejnë guximin bijtë e stalinistëve shqiptarë, bijtë e antiamerikanëve shqiptarë, bijtë e antieuropianëve shqiptarë, të akuzojnë Partinë Demokratike si një parti antiperëndimore? Këta që me drogë, me krim, me prostitucion dhe korrupsion i kanë vënë kazmën çdo vlere dhe parimi perendimor në këtë Shqipëri.

E gjejnë tek arroganca që pjell pushteti i inkriminuar, pasurimi i inkriminuar që u ka zënë sytë, veshët, u ka korruptuar mendjen, i ka shkëputur totalisht nga realiteti i përditshëm i shqiptarëve.

Janë të droguar në kuptimin e vërtetë dhe në kuptimin figurativ nga droga që kanë mbjellur kudo. Janë majmur me milionat e drogës dhe korrupsionit dhe nuk dinë se çfarë broçkullisin.

Sot që flasim, kam marrë mesazhe nga zyrtarë të Policisë së Shtetit të cilët tregojnë me kurajo se sa e rëndë është gjendja e drogës në vend. E di unë, e di ai, e di Ministri i Brendshëm, e dinë të gjithë institucionet se mu në Manzë, 30 km nga këtu, ka një magazinë me 100 tonë drogë.

E mbron një nga të kryekorruptuarit e Policisë së Shtetit, Perlat Çullhaj, që e ka emrin në listën e çdo agjensie ligj-zbatuese perëndimore. E di unë, e di ky, e di Ministri i Brendshëm dhe ish –ministri i Brendshëm por nuk kanë guxim ta prekin Perlat Çullhajn se nuk janë këta bosat e Perlatit, por është Perlati dhe droga e tij bos i tyre.

100 tonë drogë në Manzë, natë për natë nisin skafet nga Gjiri i Lalzit. 20 tonë drogë në Ishëm. Po merrem vetëm me këto dy magazinat sot, nesër flasim për magazinat e tjera.

Ja ku e kanë sjellë Shqipërinë, Edi Rama dhe banda e tij e kriminelëve në pushtet.

Ja pse është e domosdoshme të shporrim këtë bandë si kushti i patejkalueshëm për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Ja pse nuk ka e nuk mund të ketë asnjë tërheqje nga vendimi që ju njëzëri morët më 18 shkurt në bashkimin më të madh popullor në 27 vite; zgjedhje të lira, zgjedhje të ndershme pa Edi Ramën kryeministër. Kjo nuk lëviz dhe nuk ka për të lëvizur derisa ta realizojmë.

Ndërgjegjësimi i partnerëve tanë për gjendjen në Shqipëri është i përorshëm dhe i përditshëm.

Ata që nuk kanë sy të shohin drogën, ata që nuk kanë vesh të dëgjojnë për një vend të tërë të skllavëruar në institucione, në ekonomi, në politikë, nga droga dhe paratë e drogës, janë ose të papërgjegjshëm, ose të korruptuar.

Por, shumica dërrmuese e miqve dhe mbështetësve të Shqipërisë europiane dhe Shqipërisë euroatlantike, janë siç e kanë dëshmuar një pjesë e tyre me mesazhet e tyre në këtë çadër, në krahun e popullit shqiptar, në krahun e qytetarëve shqiptarë, në krahun e kësaj beteje epike, historike, njerëzore dhe demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Mesazhe përkrahjeje kanë ardhur.

Mesazhe të tjera do të vijnë. Realiteti nuk mund të injorohet më.

E vërteta nuk mund të fshihet më. Me një çështje si kjo, cështje për jetë a vdekje, për demokracinë, për stabilitetin, për paqen, për mirëqenien dhe harmoninë sociale të shqiptarëve, nuk mund dhe nuk do të ketë kurrë pazare të ndyra politike të republikës së vjetër.

Një çështje si kjo, mund dhe do të zgjidhet vetëm sipas standardit europian. Vetëm sipas standardit euroatlantik. Dhe ky standard dikton në mënyrë absolute largimin e Edi Ramës si kryeministër, për t’i hapur rrugë përgatitjes për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kush do një Shqipëri ku garantohet puna dhe punësimi sipas aftësive, talentit, mundësive dhe nevojave; Kush do një Shqipëri, paratë e taksapaguesve të së cilës nuk zhduken në konçensionet, tenderat korruptivë, por përfundojnë shërbime, investime dhe punësim për shqiptarët, nuk i shkon nga mbrapa midesë një çete të korruptuar e të droguar, por bashkohet siç po bashkohet me këtë lëvizje të madhe popullore.

Ajo që do të arrijmë është një shërbim i madh ndaj çdo shqiptari. Republika e Re nuk është e nuk mund të jetë projekti vetëm i demokratëve, vetëm i opozitarëve, apo vetëm i të djathtëve. Eshtë projekt bashkimi për çdo shqiptar dhe çdo shqiptare të ndershme.

Alternativa e mbajtjes së Shqipërisë në pushtetin e drogës, e mbajtjes së Shqipërisë nën pushtetin e krimit, jo vetëm që do të bllokojë një herë e mirë rrugën europiane të vendit tonë, por do ta kredhë ekonominë, demokracinë, stabilitetin shoqëror në një humnerë të zezë e të thellë nga e cila do të na duhen jo vetëm vite, por dekada për të dalë.

Ja pra pse lufta juaj, qëndresa juaj, vendosmëria juaj, është kaq e rëndësishme. Sepse çdo orë, çdo minut, çdo sekonde, që gjithësecili prej jush i fal kësaj qëndrese të vendosur, ështe jetë, frymëzim, besim dhe shpresë për brezat që do të vijnë.

Ndaj e di se jeni me energji të plota dhe vendosmëri të madhe jo vetëm prej forcës dhe karakterit, prej naltësisë së qëllimeve që ju kanë bashkuar këtu, që janë çështje të brendshme të gjithësecilit prej jush, por edhe prej bekimit të të madhit Zot, për sakrificën që po bëni jo thjesht për veten tuaj, por për brezat që po vijnë.

Të dehur nga avujt e drogës, të korruptuar në shpirt, siç janë të korruptuar në mendje, në xhepa dhe në konto bankare, përsërisin edhe sonte qendrimin e tyre që i ndan nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, se për pushtetin e tyre, se për pasurinë e tyre, se për fatin e tyre personal, që e kanë lidhur pazgjidhshmërisht me krimin, janë gati të sakrifikojnë demokracinë, janë gati të sakrifikojnë pluralizmin dhe ta vërtisin Shqipërinë, jo 27, por 47 vite pas.

E pra, ne jemi këtu, jo për të penguar askënd për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por për të mundësuar për cdokënd, çdo shqiptar dhe çdo shqiptare, lirinë thelbësore në demokraci, lirinë e votës. Dhe këtë, do ta arrijmë vetëm duke penguar, vetëm duke pamundësuar, vetëm duke asgjesuar, duke kthyer në hi projektin ogurzi të krimit dhe mafias, për të prishur zgjedhjet e shqiptarëve.

Rinia shqiptare dhe të rinjtë shqiptarë që i janë bashkuar kësaj proteste që në orët e saj të para, që janë zemra, zemreku, pulsi i Republikës së Re që po lind; që janë shpresa e të nesërmes më të mirë që po afron për çdo shqiptar kanë mirënjohjen më të thellë timen dhe të bashkëqytetarëve këtu.

Sytë e shpresës janë tek ju, të rinj shqiptarë.

Republika e Re, detyrimin e parë dhe më kryesor e ka ndaj rinisë shqiptare, ndaj të rinjve dhe të rejave shqiptare.

Ata që ju droguan Shqipërinë, ata që ju mbushën vendin me drogë dhe ju treguan drogën si alternativën e vetme, ata që shpërfillën talentin tuaj, aftësitë tuaja, bukurinë e shpirtit tuaj europian, ata ju imponuan ditë pas dite, e muaj pas muaji mynxyrë pas mynxyre siç është ligji për arsimin e lartë, siç është kaosi për maturantët e shkollave të mesme, siç është mungesa totale e shpresës për të gjetur një vend dinjitoz pune, me pagë dinjitoze pas përfundimit të studimeve. Siç është largimi nga vendi.

Nëse je i ri, i talentuar, i shkolluar, por refuzon të jesh i pandershëm, refuzon të merresh me drogë, refuzon të jesh servil, hipokrit dhe gënjeshtar, nuk të jepet mundësia, dhe ky është krimi më i madh i republikës së vjetër ndaj rinisë.

Sepse është krim ndaj asaj që përfaqëson shpresën e një vendi, shpresën e një shoqërie.

Premtimi i Republikës së Re nuk është për askënd më kumbues, më i prekshëm dhe aktet e para të Republikës së Re, nuk do të jenë për askënd më konkrete, se sa për të rinjtë dhe për të rejat shqiptare.

Ne do ta shkulim me forcën e ligjit, të keqen që ka zaptuar vendin tonë, drogën dhe krimin. Siguria do të kthehet në rrugët e qyteteve dhe fshatrave tona.

Shkollat tona do të jenë të sigurta sepse horrat me mbështetje nga pushtetarët nuk do të jenë më në rruge dhe oborre duke kërcënuar fëmijët, nxënësit, gjimnazistët dhe studentët, por do të jenë aty ku e kanë vendit, para ligjit, prapa hekurave.

Republika e re nuk do të shpenzojë si klika e hajdutëve e republikës së vjetër, që ka hedhur 310 milionë dollarë vetëm në këto 4 muaj, vetëm për shpenzime qeveritare, për naftë, për zyra, për perde, për turpe, për vjedhje dhe hajdutëri.

Paratë e Republikës së Re do të shkojnë në projekte që u shërbejnë qytetarëve dhe në radhë të parë rinisë. Projekti ynë për arsimin parashikon që përmes një infrastrukture shkollore të investuar tërësisht gjatë vitit të parë të Republikës së Re, anembanë Shqipërisë, nga Vermoshi në Konispol, nga qendra e Tiranës, nga shkollat e bllokut, tek shkollat e malësive më të thella në verI apo në jug, të mundësojë që fëmijët e shqiptarëve të mos gjenden rrugëve por të mësojnë përtej orarit të tyre zyrtar dhe të qendrojnë në një infrastrukturë europiane ku jo vetëm do të zbaviten por do të mësojnë, do të marrin dije dhe kulturë, do të kenë aktivitetin e tyre sportiv deri në orët kur prindërit e tyre dalin nga puna.

Studentët shqiptarë e kanë marrë premtimin që sot ua përsëris nga ky shesh; kjo që gjëmon, janë themelet e republikës së vjetër që po shembet dhe po zënë brenda bandën e fundit në pushtet me në krye Edi Ramën. Dhe i ikur do të jetë shumë shpejt.

E kam dhënë fjalën dhe e mbaj mend shumë mire, këtu me studentët shqiptarë, orën e parë të Republikës së Re, do të nënshkruajmë anullimin e ligjit për arsimin e lartë, rikthimin e tarifave universitare nën nivelin e përballueshëm, sepse asnjë bir apo bijë shqiptari, nuk do të privohet nga e drejta për arsim, për shkak të pamundësisë ekonomike.

Bashkë me figurat më të shquara intelektuale, dhe këtë lajm dua ta ndaj bashkë me ju, prej një jave ka nisur puna për hartimin e ligjit të ri për arsimin e lartë në Shqipëri, i cili do të konsultohet dhe do të miratohet vetëm pasi të ketë vulën e rinisë studentore shqiptare.

***

Shumë, shumë ka për të humbur Edi Rama dhe shpura e tij. Herë pas here bardhaku i nxjerr të vërteta. Kemi shumë për të humbur thotë. Po, ke shumë shumë për të humbur ti dhe oligarkët e tu, sepse koncensionet korruptive do të anulohen nga i pari tek i fundit. Lekët e Vilma Nushit me shokë do ia kthejmë shqiptarëve dhe në radhë të parë rinisë shqiptare, e cila, do të ketë që në muajt e parë të Republikës së Re, me paratë që sot i vjedhin oligarkët e Edi Ramës, plot 200 milionë euro në vit, mos harroni janë paratë tuaja, janë paratë e taksave tuaja. Të gjitha koncensionet, do të anulohen dhe me këto para, do ta nisim me rininë shqiptare duke i mundësuar 10 mijë të sapo diplomuarve çdo vit, një vit stazh me rrogë minimale 200 mijë lekë të vjetra, me sigurime të paguara, si një urë e sigurtë nga bankat e universitetit drejt tregut të punës dhe ky është një premtim që mund dhe do bëhet realitet vetëm me Republikën e Re, vetëm me largimin e oligarkëve të korruptuar, dhe bosi i tyre, Edi Rama.

Republika e Re do të mundësojë diçka që është plotësisht e mundur nëse asgjesojmë korrupsionin galopant të republikës së vjetër, pensionin minimal prej 250 mijë lekësh në muaj për pensionistët shqiptar, dhe rritjen mesatare prej 40 përqind, brenda 4 viteve të para të qeverisë së parë të Republikës së Re, të shqiptarëve të lirë. Por vendi, së pari duhet dhe do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të lira nga droga që shtrihet kudo, të lira nga krimi që përgjon dhe kërcënon kudo. Kjo është një kauzë e madhe, e drejtë, historike që do ta ndajë Shqipërinë mes asaj që ishte dhe asaj që do të bëhet.

***

Asgjë nuk do të jetë më si më parë. Shqipëria do tu kthehet shqiptarëve. Shqipëria e para, shqiptarët të parët. Ky do të jetë neni i parë, preambula e Kushtetutës së Republikës së Re. Me sigurinë që u jep edhe për pak ditë krimi në pushtet dhe pushteti në krim, me drogën financiarisht dhe fizikisht që u ka krimbur trutë, edhe sot, hodhën dorashkën ndaj një populli të tërë, se nuk do të tërhiqen, se nuk do të ketë qeveri teknike, se zgjedhjet do të mbahen me 18 Qershor.

Mbani mend dhe fiksojeni mirë! Degjojeni mirë këtë që po u them, dhe ua them me sigurinë totale të një populli të bashkuar rreth kauzës së vet dhe flamurit kombëtar: Zgjedhje me 18 Qershor nuk do të ketë! Edi Rama do largohet! Një qeveri teknike do ti hapë rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Orët e drogës, orët e krimit po numërohen mbapsht. Ora e së mirës sapo ka filluar, ora e fitores për çdo shqiptar po troket. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti i bekoftë shqiptarët.

14 Prill 2017

Shqiptari dhe greku arrestohen me 3 kg kokainë

Një shtetas shqiptar dhe një grek janë arrestuar në Iraklion, kryeqendra administrative e ishullit të Kretës. Ata akuzohen për posedimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të drogave të forta.

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2