Greqia pezullon zbatimin e masave më të rrepta të zonës Shengen

Tribuna

Autoritetet greke kanë pezulluar rregullat e reja të kodit kufitar të zonës Shengen, që parashikonte kontrolle më të rrepta, madje dhe për qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian. Pezullimi është vendosur pas problemeve serioze që u shfaqen në lëvizjen e pasagjerëve, sidomos në aeroportin ndërkombëtar të Athinës, në kohën që sapo ka filluar edhe sezoni turistik.



Masat e reja të Kodit të Shengenit, për kontrolle më të rrepta, janë zbatuar nga autoritetet greke vetëm ditën e parë të hyrjes në fuqi, të premten e kaluar.

24 orë më vonë është vendosur që zbatimi të pezullohet, për shkak të vonesave të mëdha që ka shkaktuar në lëvizjen e personave, sidomos në aeroportin ndërkombëtar të Athinës, por edhe në pikat kufitare me vendet fqinje.

Me një shkresë drejtuar Komisionit Europian dhe agjencisë së menaxhimit të kufirit, Frontex, autoritetet greke njoftojnë se kanë pezulluar për gjashtë muaj zbatimin e kodit të ri të Shengenit, që i detyron vendet e zonës së lëvizjes së lirë të verifikojnë sistematikisht gjithë personat që hyjnë e dalin, përfshirë edhe shtetasit e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Kjo masë e re, e miratuar në mesin e marsit nga minisatrat e brendshëm të BE-së, synon të pengojë luftëtarët e xhihadit që janë shtetas të vendeve të Shengenit, të lëvizin pa u identifikuar.

Ndërsa deri më tani bëhej vetëm një skanim formal i pasaportës biometrike, rregulli i ri i detyron shtetet anëtare të Shengenit që të kryejnë disa verifikime. Duke filluar që nga krahasimi i të dhënave me listën e personave në kërkim, e deri me listën e dokumenteve të humbure apo të vjedhura. Nga ky kontroll nuk kanë shpëtuar as qytetarët grekë, shumica e të cilëve kanë letërnjoftime të tipit të vjetër, pra pa mikroçip. Çka do të thotë se për secilin prej tyre, të dhënat duheshin shkruajtur nga e para në kompjuterin e policisë.

E gjithë kjo situatë, bëri që koha e pritjes për pasagjerët e destinacioneve nga dhe drejt vendeve të zonës Shengen, të jetë mesatarisht 30 minuta.

Sindikata e policisë reagoi me një deklaratë për shtyp, theksohej se “radhët e krijuara ishin pa precedent dhe qytetarët tepër të dëshpëruar”. Më tej sindikalistët vinin në dukje se situata është e papërballueshme, me potencialet e pakta njerëzore që disponon policia kufitare. Aq më tepër në prag të rritjes së flukseve për shkak të noisjes së sezonit turistik dhe festës së pashkëve.

Përballë kësaj gjendjeje, autoritetet greke vendosën ta pezullojnë për të paktën gjashtë muaj zbatimin e masave të reja. Çka do të thotë se kontrollet skrupuloze do të fokusohen vetëm tek personat që konsiderohen të dyshimtë, siç është bërë deri më tani. I vetmi përjashtim do të bëhet në pikat kufitare me Turqinë, ku ka pasur raste që kanë kaluar persona të dyshimtë për lidhje me xhihadistët.

Zbatimin e masave të rrepta e kanë vendosur edhe pesë vende anëtare të BE-së, Finlanda, Italia, Kroacia, Hungaria dhe Bullgaria, që duket janë ndeshur me të njëjtat probleme, ashtu si dhe Greqia.

11 Prill 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2