Robert Goro: "Letër mikut tim Ardi Stefa"

Robert GORO
Ardi Stefa në zyrat e gazetës Tribuna, gjatë kohës kur ishte kryeredaktor i saj

I dashur Ardi. Para disa ditësh lexova një postim lakonik që kishe bërë në profilin tënd në facebook: “47 vjet që dua Shqipërinë. 27 vjet që dua më shumë Shqipërinë se partinë”... Në fakt, këto 14 fjalë përcaktojnë (apo definojnë siç do të thoshnin dhe miqtë tanë nga Kosova), kredon e çdo qytetari të ndërgjegjshëm e me dy pare mend në kokë.

Pse për fat të keq, më duket se në Shqipërinë tonë kemi më shumë individë që venë mbi gjithçka partinë e tyre, ndonëse me fjalë anatemojnë Diktatorin e mallkuar që porosiste orë e çast “partia mbi të gjitha”.

Ti, miku im, i përket një pakice që në rastin tonë mund të themi se “është përjashtimi që vërteton rregullin”.

Unë, që të njoh kaq mirë prej plot 20 vjetësh, nuk e diskutoj se ato 14 fjalë i ke thënë si një shfrim të sinqertë shpirti, i bindur nga ana tjetër se nuk ke për të ndryshuar gjë në këtë botë, që siç thoshte Hamleti (në mos gaboj), “kam lindur që të të ndreq”.

Ndërkaq, fakti se nuk ka për të ndryshuar gjë, nuk do të thotë se ne duhet të rrimë në apati e të presim me duart kryq të vijë fundi i rrugës tonë. Sepse gjithmonë është ajo pyetja e pashmangshme që artikuloi Zoti: “Ku ishe ti?”...

Nëse më lije mua të përgjigjesha në vendin tënd, unë do të thoshja “Në vijën e parë, Zotëri. Duke ecur vetëm drejt, pa vështruar as majtas, as djathtas”.

Ti ke qenë gjithmonë në vijën e parë, miku im. Që atë dhjetor të 1990-s, kur bashkë me motrën tënde, Lejdën, ishit ndër 300 firmëtarët e parë të themelimit të partisë Demokratike dhe pastaj në grevën e urisë të shkurtit 1991, ishte ndër ata 720 gocat e çunat që e vranë të parët frikën dhe morën përsipër misionin fisnik që t’u tregonin rrugën e vërtetë shqiptarëve, ani pse kjo rrugë u humb shumë shpejt...

Ti dëshmove se mbeteshe në vijën e parë, edhe kur more guximin (pse guxim ishte atëherë), të ktheje medaljen që të kishin dhënë si shenjë të njohjes së kontributeve të tua, kontribute që me dhimbje vështroje se u flijuan (nga shumë prej atyre që sot mbeten dashnorë dhe adhurues të partive të tyre).

Të kam parë gjithmonë në vijën e parë, gjatë 15 vjetëve që bashkëpunuam: fillimisht me Telerevistën e më pas me Gazetën e Athinës dhe -nuk mund ta harroj kurrë këtë- m’u bashkove ashtu siç bëjnë miqtë e vërtetë, kur unë themelova gazetën Tribuna. Atë gazetë ku ti ke lënë gjurmën tënde të pashlyeshme, edhe si kryeredaktor, por edhe me shkrimet në rubrikën tënde kaq të dashur për lexuesit, “Autobusi i orës 05,00”.

Por mjaft, me këtë ton “nekrologjik”...

Unë sot u nisa të të shkruaj që të inkurajoj dhe të të mbështes në tundimin tënd për t’u marrë prapë aktivisht me politikën. Për t’u marrë me politikën në atdheun tënd, ku ti u ktheve në një moment kyç, në vitin 2013, duke u dëshmuar përsëri si një guximtar i pandreqshëm dhe se, pavarësisht që ngandonjëherë përfshihesh edhe ti në korin e atyre që vajtojnë “ky vend nuk bëhet”, ti beson se mund të bëhet dhe të bëhet një vend shumë i mirë. Prandaj dhe u ktheve e po përpiqesh të vësh gurin tënd në atë që unë do ta quaja “një tentativë sublime ndërtimi”...

Ti nuk u ktheve që të “vjelësh” frutet e meritave të tua, sikundër bëjnë mjaft prej atyre që i përkasin asaj shtrese që Dritëro Agolli më duket, e kishte emërtuar “shkërdhatokraci”. Ti u ktheve sepse, përkundër asaj që e shqipton edhe vetë ngandonjëherë, pra “Shqipëria nuk bëhet”, ti beson pafundësisht se Shqipëria bëhet. Por që të bëhet, duhet që ajo masë e pafundme njerëzish që përbëjnë atë që rëndomë quhet “shumica e heshtur”, të marrë zë dhe ta ngrejë zërin. Kjo shumicë e heshtur ka si kredo mentalitetin që në vegjëli na e kishin mësuar me një fjalë të urtë, “kalliri që ka bukë e mban kokën ulur”. Me modestinë tonë, ne e kemi ulur kokën, ndërsa mbi kryet tona livadhisin kallinjtë e pabukë; ata që duket sikur përfaqësojnë shumicën, por në të vërtetë nuk janë veçse një minorancë e papërfillshme. Thjesht, janë vetëm ata që shfaqen e duken gjithandej: në zyra ministrore e partiake, në tribuna mbledhjesh të mërzitshme, në ekrane televizionesh e faqe gazetash... E duke u riprodhuar në progresion gjeometrik ngjan sikur janë shumica.

Nuk janë kurrë shumicë!

Për t’iu treguar vendin atyre, për t’i vënë ata aty ku në të vërtetë e kanë vendin, në margjinat e jetës politike dhe shoqërore, duhet patjetër, duhet më në fund, që në vijën e parë të ketë sa më shumë njerëz si ti, Ardi Stefa. Njerëz, që siç e thashë, nuk mungojnë, por që vullnetarisht janë tërhequr. Jo ngase shikojnë vetëm punën e tyre, por ngase mediokrit i kanë lodhur kaq shumë saqë mendojnë që çdo tentativë reagimi është e kotë.

Mirëpo vjen një moment që imperativi shtrohet si një çështje për jetë a vdekje, dhe në këtë dilemë luhet vetë fati i vendit.

Prandaj më gëzon dhe me jep shpresë impenjimi yt që të përfshihesh në politikë. Dhe madje me partinë LIBRA, e cila mëton, të paktën teorikisht, se është e ndryshme dhe sjell diçka të re, në krahasim me partitë e sistemit që na kanë qeverisur këto 27 vitet e fundit.

Uroj me gjithë shpirt që të kesh sukses. Të kesh sukses jo vetëm sepse je miku im i mirë, por sepse në radhë të parë nga suksesi i “shumicës së heshtur” varet vetë e ardhmja e vendit. E këtij vendit tonë të dashur, që unë ngul këmbë se bëhet që ç’ke me të!

Përqafime,

Robert Goro

09 Prill 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2