Rama: Data e zgjedhjeve nuk shtyhet; për koalicionin të vendosë LSI

Gjatë Asamblesë, Edi Rama i uroi ditëlindjen deputetit Erion Braçe

Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi të dielën se zgjedhjet e 18 qershorit nuk do të shtyhen.

Duke marrë fjalën në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama tha se çadra është zgjedhja e PD-së, në 18 qershor janë zgjedhjet e popullit”.

“E bëjmë sot të hapur këtë mbledhje asambleje kombëtare për të qenë së bashku drejtues partie dhe koordinatorë elektoralë nga i gjithë vendi për këtë moment kyç për Shqipërinë”, nënvizoi Rama duke shtuar se njëkohësisht sot nis pjesa e fundit të rrugëtimit tonë të deri këtushëm 1294 ditë për të bërë shtet e njëkohësisht nis pjesa e parë e rrugëtimit tonë të mëtejshëm 1538 ditë të tjera për të vazhduar për të bërë shtet.

Kreu i qeverisë theksoi se janë 75 ditë për të mbyllur kapitullin e parë, mandatin për të hapur kapitullin e një rilindje shqiptare dhe për të filluar të dytin, një mandat të ri popullor për një Shqipëri që duam me shtet punësim, mirëqënie. Për Shqipërinë që duam është arsyeja pse PS ekziston sepse ne jemi socialiste e progresistë shqiptarë”.

“Për 75 ditë dhe 75 netë mes kësaj të diele dhe të dielës së 18 qershorit do të shkojmë lagje, më lagje, shtëpi më shtëpi, fshat më fshat në çdo fabrikë, në çdo fermë e biznes të vogël nga Tropoja në Konispol, do të trokasim butësisht në derën e çdo familje shqiptare e do t’i flasim drejtpërdrejt çdo zemre që rreh për Shqipërinë që duam”, nënvizoi Rama.

Duke theksuar se koha e vjedhjeve të zgjedhjeve ka përfunduar Rama ftoi Partinë Demokratike të lërë çadrën dhe të ballafaqohet me popullin.

“Saliu i Lulit nuk do vettingun se nuk do zgjedhje, Luli i Saliut nuk do zgjedhje se nuk do vettingun. Ata kërcënojnë në emër të popullit dhe nuk guxojnë të dalin nga çadra për t’u gjykuar nga populli. Çadra është e tyre, në 18 qershor janë zgjedhjet e popullit”, tha ai.

“Nuk ka shtet pa drejtësi dhe nuk ka drejtësi pa Vetingun”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama ka komentuar edhe koalicionin me LSI, aleatin në qeverisje. Sipas tij, për vazhdimësinë e këtij koalicioni duhet të vendosë LSI.

“As e kemi diskutuar dhe as do ta diskutojmë deri në çastin që jemi koalicion. Ka të tjerë ndër ne që e shohin si martesë të ezauruar, disa si mëkat. Arsyet e këtyre përjetimeve janë nga më të ndryshmet, herë të drejta, herë të pajustifikuara. Herë të ekzagjeruar, herë të sajuara. Jashtë nesh e quajnë një marrëveshje për pushtet, e ngjyrosin sipas ngjyrave të portaleve, sa për mua cilësia e këtij partneritet nuk matet me sasinë e helmit por matet me atë që duam të bëjmë shtet. Matet me faktet dhe shifrat. Jo me sa rrallë flet dhe sa herë flet dhe me sa qejf i thumbon ministrat tanë”, deklaroi Rama.

Asambleja e zgjeruar kombëtare e Partisë Socialiste e cila u mbajt në pallatin e sportit “Asllan Rusi” ka nisur me fjalimin e kreut të PS për Tiranën, Saimir Tahiri.

“Tek besimi i qytetarëve kam gjetur forcën për tu ngritur mbi çdo sfidë. Sot e them me plot gojë se e nxorëm policinë nga rrënimi ku ndodhej. Miqtë e mi, kthehuni vetëm 4 vjet më parë dhe kujtoni ditët që jetonit në atë kohë, Shqipëria kishte shumë rrënim, por shumë shpresë, shumë padrejtësi, por shumë dëshirë për të ndryshuar”, tha Tahiri.

Në fjalën e tij, Tahiri foli edhe për çështjen më të përfolur të këtyre ditëve, siç është koalicioni.

“Nuk ka ditë që nuk dëgjoj nga njerëzit mos hyni në zgjedhje me këtë parti apo me këtë parti, që mos bëni koalicion me këtë parti apo me këtë. Dalin ca që pushtetin e duan në çadër e ca në tavolinë, i kuptoj të gjithë, por gjëegjëza e shqiptarit është se nuk ka koalicion më të fuqishëm se koalicioni ynë, nuk ka parti aleat më të rëndësishme se shqiptarët, se aleanca jonë më shqiptarët. Ne duam koalicion për shqiptarët dhe jo korridoret e politikës”, deklaroi kreu i PS-së për Tiranën.

Pjesëmarrës në asamble ishin gjithë eksponentët kyç të fushatës deri në nivelin më të ulët, kryetarët e njësive administrative, 61 kryetarët partie, koordinatorët elektoralë dhe dixhitalë.

Ndërsa në 29 prill pritet të mblidhet edhe Kongresi i PS.

03 Prill 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2