Brexit, cila është fatura e kripur

Fatura që duhet të rregullojë Londra me largimin nga Bashkimi Evropian është një dosje eksplozive që mund të prishë shumë shpejt negociatat e Brexit.

Vlera e saktë ende nuk dihet, por Brukseli thotë se do të jetë e “kripur”.

Çfarë përmban kjo faturë? Si do të zhvillohen negociatat? A do ta paguajë Londra shumën e kërkuar nga BE-ja? Këto janë disa nga çështjet ekonomike që ngrihen për ndarjen mes BE-së dhe Britanisë së Madhe.



Çfarë përmban fatura?

“Kur një vend del nga BE-ja, nuk ka ndëshkime, nuk ka kosto për të paguar për largimin, por duhet të mbyllim llogaritë”, deklaroi kohët e fundit kryenegociatori i BE-së, Français Michel Barnier duke i kujtuar Londrës se ka angazhime buxhetore për të respektuar.

Çështja kryesore për t’u likuiduar, kjo shprehje lidhet me angazhimet e marra nga Britania e Madhe në kuadrin vjetor të BE-së (buxheti i vitit 2017 i Unionit arrin në rreth 158 miliardë euro), por ende nuk është paguar.

Më shumë delikate është çështja që BE-ja i kërkon Londrës të respektojë gjithashtu angazhimet që ende nuk janë futur në këtë buxhet vjetor, por të premtuara për fondet strukturore (me destinacion kryesisht vendet më të varfëra të Unionit) apo programe të tjera shumëvjeçare, si ato të kërkimit për shembull. Si dhe cila do të jetë pjesa e Britanisë së Madhe në garancitë për hua të dhëna nga BE-ja.

Negociatat do të prekin gjithashtu çështjen e pensioneve të funksionarëve evropianë.

“Nuk bëhet fjalë për pensionin e funksionarëve britanikë, por të pjesës së Britanisë së Madhe në pensionet e gjithë funksionarëve të BE-së”, shpjegon një burim diplomatik.



Sa është shuma?

Asnjë shifër zyrtare nuk është publikuar deri tani, por sipas një përgjegjësi të lartë evropian, Komisioni e ka vlerësuar rreth 55-60 miliardë euro shumën që Londra duhet të paguajë për të nderuar krejtësisht angazhimet e saj.

“Është pak a shumë kjo shifër, por ne duhet ta përllogarisim shkencërisht”, kishte deklaruar disa ditë më parë presidenti i Komisionit, Jean Claude Juncker.

“Megjithatë negociatat nuk do të fillojnë me një betejë shifrash, por me përcaktimin e parimeve dhe të metodologjisë që dy palët do të përpiqen të përshtasin në mënyrë konsensuale”, garantoi një burim në Bruksel pranë kësaj dosieje.



Është e detyruar Londra të paguajë?

Sipas një komisioni të Dhomës britanike të Lordëve, Britania e Madhe mund të largohet ligjërisht nga BE-ja pa rregulluar asnjë faturë largimi, me rrezikut që të dëmtojë të gjitha aspektet e tjera të negociatave.

“Ne jemi një komb që i nderon detyrimet e veta”, kishte theksuar ministri britanik i Financave, Philip Hammond.

Për të ulur faturën, britanikët pritet që të pretendojnë se një pjesë e të mirave të BE-së u përket, si godinat e institucioneve.

“Kur ti del nga një klub golfi, ti nuk kërkon një pjesë të vlerës së godinës, nuk funksionon në këtë mënyrë”, i paraprin një diplomat kësaj çështje.

“Nga ana e Brukselit, gjërat janë të qarta. Nëse nuk ka marrëveshje mbi faturën dalës, nuk ka asnjë marrëveshje daljeje”, garantoi një përgjegjës i lartë evropian.



Çfarë pasoje për buxhetin e BE-së?

“Britania e Madhe ka mesatarisht një pjesëmarrje prej 14 për qind në buxhetin e programeve evropiane. Ajo bën pjesë në kontribuesit neto të buxhetit të BE-së, që do të thotë se jep më shumë nga sa merr”, vlerësoi Michel Barnier.

Sipas një studimi të fundit nga Instituti Jacques Delors, Brexit do të jetë një tronditje për buxhetin evropian. Ai do të shkaktojë, sipas këtij studimi, një deficit nga 5-17 miliardë euro në vit, në funksion të zgjedhjeve që do të bëjnë 27 vendet anëtare (të shtojnë kontributin e tyre, të reduktojnë shpenzimet ose t’i kombinojnë të dyja), që do të shkaktojë bisedime shumë të vështira mes tyre. (AFP)

30 Mars 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2