Stefan Çipa i PS, tur takimesh me emigrantët në Greqi

TRIBUNA

Edhe pse fushata për zgjedhjet e 18 qershorit nuk ka filluar zyrtarisht, Partia Socialiste po intensifikon kontaktet me emigrantët shqiptarë në Greqi.

Ditët e fundit, sekretari për emigracionin i PS dhe njëherazi zëvendësministër i brendshëm, Stefan Çipa, po zhvillon takime që i ka nisur në pjesën veriore të vendit, për të vazhduar në Athinë, Peloponez dhe veri-perëndim.

Në Athinë, Stefan Çipa u takua me strukturat e degës së partisë për Atikën,

Fillimisht ishte kryetari i PS për Greqinë, Artur Bibe, që bëri një pasqyrë të shkurtër të punës së deritanishme. Bibe tha se gjatë vitit të fundit janë shtuar kontaktet me njerëzit në gjithë Greqinë, ndërkohë që strukturat drejtuese funksionojnë në të gjitha zonat. Edhe aty ku ka pasur largime të drejtuesve për shkak të krizës, ata janë zëvendësuar, tha Artur Bibe duke shtuar se faktikisht janë intensifikuar përgatitjet për fushatën zgjedhore, ku sipas tij, qeveria e re do të përballet me sfidat ndoshta më të mëdha në histori: Krizën ekonomike dhe përafrimin me BE. Paralelisht me përgatitjet për fushatën, dega e PS për Greqinë ka nisur edhe një fushatë anëtaresimesh në parti. “Kush mendon se te PS gjen vetveten, ne i bëjmë thirrje të anëtarësohet”, theksoi Bibe, që më parë ishte ndalur te puna e qeverisë Rama, dhe reformat që ka kryer, ku sipas tij, më të rëndësishme janë ato për rikrijimin e shtetit, energjinë dhe ndarjen administrative.

Megjithatë, kryetari i PS për Greqinë ishte edhe kritik në fjalën e tij, duke theksuar se në punën e qeverisë ka pasur edhe gabime. “Duke folur edhe nga pozicioni i emigrantit, dua të vë në dukje se nuk u realizua premtimi për votimin e emigrantëve”.

Duke marrë fjalën, Stefan Çipa “ia faturoi” opozitës dështimin e votës së emigrantëve. “Deputetët tanë e kanë kërkuar këtë në komisionin e reformës zgjedhore, mirëpo e kundërshtuan deputetët e opozitës”, tha sekretari i PS për emigracionin. Gjithsesi, ai shtoi se këto janë zgjedhjet e fundit që emigrantët të cilët kanë dëshirë për të votuar do të duhet të shkojnë e ta hedhin votën në qendrat e votimit në Shqipëri.

Në fjalën e tij, zoti Çipa theksoi se kjo është hera e tretë brenda një viti që takohet me bashkatdhetarët në Greqi. “Aktualisht jemi në procesin e zgjedhjes së strukturave drejtuese, me qëllim që të jenë të organizuar për fushatën elektorale. Drejtuesit tashmë nuk janë më të komanduar, por të zgjedhur”, theksoi zoti Çipa, duke shtuar se janë caktuar koordinatorët për emigracionin në të gjitha bashkitë, të cilët me fillimin e fushatës do të zhvillojnë takime me emigrantët në Greqi, ashtu si dhe kandidatët për deputetë.

Çika kërkoi nga gjithë strukturat drejtuese të PS, por edhe anëtarët e thjeshtë që të intensifikojnë punën përgatitore për fushatën elektorale.

Në fjalën e tij dhe duke folur edhe me cilësinë e zëvendësministrit të brendshëm, Stefan Çipa u ndal disi më gjatë në shpjegimin e projektit për regjistrimin e emigrantëve, një masë që sipas tij lehtëson mjaft barrën e telasheve që bashkatdhetarët jashtë Shqipërisë kanë për sigurimin e dokumenteve të ndryshme. Dhe që deri më tani u kushtonin mjaft para dhe kohë, plus që tashmë nuk do të jetë nevoja që për një çertifikatë, njerëzit të paguajnë më parë taksat e bashkisë.

Çipa tha se procesi i regjistrimit është mjaft i thjeshtë dhe sekush mund ta regjistrojë lehtësisht adresën e banimit të tij në emigracion. Kjo mund të bëhet në pikat kufitare, në gjendjen civile në Shqipëri, në ambasadë apo konsullatë dhe, sigurisht, online, jo vetëm duke përdorur kompjuterin, por edhe telefonin celular (smart phone).

Zëvendësministri i brendshëm tha se që nga fillimi i procesit dhe për gjashtë muaj nuk do të ketë penalizime. Por kjo nuk do të thotë që gjithë emigrantët ta lenë regjistrimin për momentin e fundit.

Sekretari për emigracionin e PS, informoi edhe për probleme të tjera të mprehta siç është njohja e viteve të punës për fekt pensioni. Edhe pse Shqipëria ka arritur marrëveshje me mjaft shtete europiane, kjo gjë ende nuk është arritur, për fat të keq, me Greqinë dhe Italinë, ndërkohë që qeveria shqiptare i vazhdon negociatat me Athinën dhe Romën.

Në takim foli edhe Anastas Murati, në emër të asamblesë së PS për Greqinë. Ai falënderoi gjithë emigrantët që, siç tha, sakrifikojnë që të shkojnë në Shqipëri për të hedhur votën. “Nëqoftëse PS është sot në pushtet, është nga emigracioni”, tha Murati, që informoi se në kuadër të kongresit të ardhshëm të PS do të zgjidhen edhe delegatë nga radhët e emigracionit, në bazë të rregullit, një delegat për çdo 200 anëtarë partie.

Takimi vazhdoi në formën e bashkëbisedimit, ku zoti Çipa iu përgjigj pyetjeve të ndryshme, por u përball edhe me kritikat që të pranishmit kishin sidomos për piramidën drejtuese të PS dhe të qeverisë.

Turi i takimeve me bashkatdhetarët të sekretarit për emigracionin të PS, Stefan Çipa ka vazhduar në Korinth dhe më pas në Patra, Zakynthos e do të përfundojë në Janinë.

22 Shkurt 2017

Madridi dënon “mashtrimin” në Katalonjë

Pavarësia e shpallur e Katalonjë dhe ndërkohë e pezulluar është një “farsë” që do të çojë në “përballje” ekonomike dhe sociale, deklaroi sot kreu i diplomacisë spanjolle.

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2