Çështja Kareli dhe komuniteti i mbetur jetim...

Ermal SULAJ

Jo shumë larg nga sot zhvillova një takim me drejtoreshën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. U interesova për një projekt bashkëpunimi të Bashkësisë Shqiptare në Greqi me Komitetin e Helsinkit në Shqipëri. Midis informacionit mbi aktivitetin e tyre si organizatë e pavarur për të drejtat e njeriut ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte kur mësova se Komiteti Grek i Helsinkit duke ardhur dhe në kontakt me atë shqiptar, kishte marrë në dorëzim dosjen “Kareli” për ta përfaqësuar me avokatët e saj në Strasburg.

Ishte një surprizë e pakëndshme për krenarin time shqiptare të them të drejtën. Një organizatë totalisht greke merrte përsipër me avokatët e saj po grek përfaqësimin ligjor të fatkeqit Ilia Kareli, shqiptar që vuante dënimin në burgjet Greke. Ai u rrah dhe u masakrua deri në vdekje nga gardianët e burgut ku vuante dënimin. Ky ishte një rast ekstrem i dokumentuar dhe me video nga kamerat e institucionit ku vetë punonjësit kryen një vetëgjyqësi barbare.

Në fakt ajo që më shqetësoi më shumë ishte ndjenja e dobësisë dhe e paaftësisë që m’u krijua. U ndjeva pjesë e fajit të një Bashkësie që nuk ishte e zonja as të ngrinte zërin për të drejtat e veta. Vritemi e dhunohemi dhe nuk flasim, por shikojmë në sy bashkëqytetarët tanë grekë që të na marrin hakun, sepse ne nuk i dalim dot zot vetes. Dhe në fakt asnjë organizëm shqiptar nuk i doli për zot Ilia Karelit, as para vdekjes, kur ai bënte thirrje që do ta vrisnin gardianët dhe as mbas vdekjes së tij. Përkundrazi, u hodh baltë mbi të nga po këto organizma shqiptare të cilat nuk paten kurajon ta mbronin. Duke u kapur tek veçoria e kriminelit u harrua ajo e të qënit shqiptar. U anashkalua që ai ishte shqiptar, për hir të servilizmit; në këtë rast rëndësi kishte që ai ishte kriminel.

Por fatmirësisht pë drejtësinë vjen një nga organizmat më në zë në arenën ndërkombëtare, me vepra konkrete dhe reale në fushën e drejtësisë, për të na dhën një mësim ne shqiptarëve në lëmin e të drejtave të njeriut. Na tregoi që të drejtat e njeriut ngelen të njëjta për të gjithë, pa dallim racor, fetar apo kategorie shoqërore. “E po, Komiteti Grek i Helsinkit që u del per zot të drejtave të shqiptarëve i ka kushtet”, do thoni ju dhe ka një skuadër avokatësh që mund ta ndjekin çështjen siç dhe po e ndjekin!!

Po ne… !? A i kemi kushtet ne… !? Sigurisht që i kemi, por fatkeqësisht nuk kemi dëshirën, kurajon dhe mirësine që ta bëjmë! Për dijeni, Komiteti i Helsinkit është një organ i pavarur që mbështetet në Kartën e Helsinkit të të drejtave të njeriut, nuk paguhet as nga shteti dhe as nga ndonjë shoqëri masonike. Në çdo shtet të botës është i pavarur dhe i mbështetur totalisht në solidarizimin e sinqertë të njerëzve të zakonshëm e pa pushtet. Njësoj siç pretendojnë të jenë dhe organizatat apo grupimet shqiptare në Greqi. Por të tjerët janë të zotët, kanë potencën intelektuale dhe organike që siç duket neve na mungon. Na mungonte në rastin e Karelit, na mungonte në rastin e Marnikollajt, na mungonte në rastin e rekrutëve shqiptarë dhe ka për të na munguar për sa kohë jemi këta që jemi dhe nuk ndryshojmë qëndrim ndaj vetes në radhë të parë.

Ka ardhur koha që këto grupime apo organizata shqiptare të përfaqësohen nga njerëz me vizion e të mirëshkolluar, sepse në një shoqëri komplekse dhe demokratike sic është ajo greke nuk mund te çash dot alla shqiptarçe, me diploma fallco e me foto Facebook-u, sic ndodh rëndomë me partitë politike ne Shqipëri.

Greqia paçka se ka problemet e saj, është një vend ndryshe nga Shqipëria dhe ne duhet t’i përshtatemi me të gjithë potencialin tonë intelektual jetës shoqërore këtu.

Është për të ardhur keq që mbas 25 vjetësh Bashkësia shqiptare në Greqi nuk ka akoma një përfaqësim të denjë ligjor për të dhënë betejat e panumërta që hasim çdo ditë. Nëse nuk bëjmë një kthesë të fortë në mënyrën e organizimit dhe të përfaqësimit tonë, atëherë do të mbetemi robër të mëshirës së vendasve dhe kurrë nuk do mundemi të fitojmë të drejtat tonë, për të cilat në fakt më shumë po rropaten grekët sesa vetë ne. Duhet të ishim ne ata që kërkojme të drejtat tona në Strasburg me avokatët tanë, dhe jo vendasit që po na dalin për zot çdo ditë sikur të kemi ngelur jetimë...

16 Shkurt 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2