Rama prezanton programin “1 miliard euro investime”: Sjell rritjen ekonomike mbi 5 %

Kryeministri Edi Rama prezantoi të martën para sipërmarrjes dhe përfaqësuesve të sistemit bankar, projektin për 1 miliard euro investime në sektorë me ndikim të madh në zhvillimin ekonomik e social të vendit, si infrastruktura, arsimi e shëndetësia.

“Programi është një ftesë për sipërmarrjen dhe bankat që të përfshihen në një proces partneriteti me qeverinë për të bërë të mundur realizmin në një kohë të shpejtë të një numri të konsiderueshëm projektesh, duke garantuar nga pikëpamja financiare, financimin sipas afateve të përcaktuara kontraktuale të çdo projekti nga ana e buxhetit të shtetit me një shtrirje të arsyeshme në vite”, tha Rama.

Ai tha se pjesë e programit është dhe rruga e Arbrit, për të cilën ka nisur procedura dhe është projekti i parë që përfshihet në këtë program. Programi bazohet në një listë projektesh të renditura në mënyrë prioritare ku pjesë zë edhe infrastruktura në zonat bujqësore

Kur vjen fjala tek arsimi, sipas kryeministrit Rama, ky program ka një rëndësi themelore, pasi na jep mundësinë që në një kohë të shkurtër të financojmë një numër shkollash që me financimin e buxhetit të shtetit do të kërkonin vite të tëra. “Synojmë të ndërtojmë e rindërtojmë afro 150 shkolla në të gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe 6 shkolla ekselente për arsimin profesional”, u shpreh Kryeministri.

Po ashtu, kreu i qeverisë theksoi se në program përfshihet edhe infrastruktura shëndetësore. “Do të jetë prioritet ndërtimi i një spitali ekselence rajonal, në Fier dhe 10 qendra shëndetësore ekselence në të gjithë territorin”, bëri të ditur Rama.

Rama siguroi se në këtë proces dhe këtë përfshirje masive të sipërmarrjes dhe kapitalit privat në mbështetje të programit kombëtar për infrastrukturën, përsëri qytetarët nuk do të paguajnë asgjë ekstra, siç është tani e qartë nga filozofia e partneritetit publik privat, ku asnjëherë shteti nuk shpenzon paratë e tij për të favorizuar një subjekt privat, duke ngarkuar me barrë financiare qytetarët apo taksapaguesit .

“Kemi trashëguar një histori të vështirë koncesionesh që kanë patur një filozofi tjetër, ku shërbime apo punë në favor të publikut, paguheshin nga vet publiku me tarifa ekstra. Kësaj trashëgimie i kemi dhënë fund”, deklaroi Kryeministri.

Ky projekt sipas Ramës, përveçse bën të mundur që vendi të përfitojë 1 miliard euro investime garanton po ashtu që të mos të kemi asnjë luhatje në planin për uljen e borxhit dhe mbajtjen nën kontroll të deficitit. Zbatimi i këtij programi, u shpreh kreu i qeverisë, do të ketë padiskutim një hapësirë të re për rritje të ndjeshme të punësimit.

“Një program që do të krijojë punësim të konsiderueshëm”, e cilësoi Kryeministri, ndërsa shtoi se bëhet fjalë edhe për qindra kantiere që do të do të sigurojnë të ardhura të reja për buxhetin e shtetit, si pasojë e detyrimeve që do të vilen nga këto projekte, çka bën të mundur realizimin e ambicies sonë për një rritje ekonomike mbi 5 %. Një rritje e tillë, theksoi ai, është me impakt shumë të ndjeshëm në ekonominë familjare dhe nuk diskutohet që do t’i japë impuls të madh edhe rritjes së konsumit.

Duke iu përgjigjur edhe debatit për PPP, Rama tha se në 3-mujorin e parë të 2016-ës, në Europë jo vetëm është rritur numri i vendeve që mbështeten në modelin e PPP-së, por janë firmosur kontrata mbi 8 miliard euro në vlerë të përgjithshme. PPP, sipas një studimi të Bashkimit Europian, tha Rama, janë avantazhi i të pasurit ndikim të menjëhershëm ekonomik e social, duke mundësuar në një kohë të shkurtër realizimin e projekteve, gjë e cila nuk mund të bëhet e mundur nëpërmjet procedurave klasike të mbështetura nga fonde buxhetore.

31 Janar 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2