Qeveria shpëtoi, koalicioni u prish!

Enton ABILEKAJ
Fotomontazh nga www.syri.net

Ishte fundi i një beteje të pamoralshme, që u zhvillua pa kokëçarje në sy të publikut. Drejtësia e asfiksuar është strukur nga frika e reformës, opinioni publik është burgosur. Ata mund të ndajnë edhe paratë direkt në TV pa patur frikë. Akuzat e rënda të Manjanit janë dëm kolateral, që nuk ua largon votat e militantëve dhe të mercenarëve që do të blihen me paratë e plaçkës që bënë në 4 vjet. Një fund i përkohshëm, që në vend të turpërojë Ramën dhe Metën, turpëron shoqërinë që rri e vështron pazarin që bëhet para syve. Ata i bëjnë hesapet pa hanxhinë, se hanxhiu është marrë peng, ose po fle gjumë.

Prishja e hesapeve të tyre para zgjedhjeve ka mbetur e vetmja shpresë tashmë. Në hesape nuk hyjnë akuzat e rënda të Manjanit për 2 milionë euro të dhëna pa tender tek klientët e Ramës, për vendime qeverie të marrë pa mbledhje qeverie, për një qeveri që funksionon në kundërshtim me Kushtetutën, për ministrat që flenë me dashnoret tek hoteli i njeriut më të kërkuar. Këto nuk kanë asnjë peshë në një shoqëri të tredhur që i kanë hequr dhe të drejtën të flasë, pasi nuk e lanë të votojë për 21 vjet. Prishja e hesapeve, shpresa e vetme që vendi mund të shpëtojë nga krimi që qeveris me Rilindjen, ka të bëjë me interesat e palëve.

Shpresa për prishjen e hesapeve kanë lindur që në tetorin e 2015-ës, që ishte epilogu i një beteje të nisur që para zgjedhjeve lokale me akuzat e Tom Doshit për Ilir Metën, pastaj me dosjen CEZ-DIA dhe me aludimet në mediat pranë Ramës për arrestimin e Metës. Në korrik 2016, me Reformën në Drejtësi, ku paranoja e Ilir Metës, që u ushqye një vit më parë, po prevalonte ndaj arsyes, u mendua përsëri se u prishën hesapet. Ky i sotmi ishte rasti i tretë. Dukej se Meta nuk do të dorëzohej këtë herë, por do të luftonte deri në largimin e Tahirit, madje duke lënë në betejë edhe 2 ministrat rebelë, Manjani dhe Koka. Zgjedhjet janë afër dhe të dy bashkëkryetarët kanë frikë nga ndarja, pavarësisht se duan të shpëtojnë nga njëri - tjetri.

Frika apo dëshira, cila do të prevalonte në këtë betejë që dukej vendimtare? Mbrapa kësaj skene lufte, një tjetër bashkëkryetar, Shpëtim Idrizi fërkonte duart, me shpresën e prishjes së madhe. Një nga shumë pak herët kur interesat e Idrizit përputhen me interesat e publikut, por sigurisht për arsye të kundërta me publikun. Ndërsa publiku i dorëzuar shpreson tek ndarja e Ramës me Metën si e vetmja zgjidhje konkrete për të rrëzuar qeverinë më të keqe të tranzicionit të pafund, Idrizi e pret për një fillim të ri, akoma më klientelist, akoma më të korruptuar, akoma më të verbër në plaçkitjen e vendit në favor të pak oligarkëve.

Prapaskena është më e qartë se skena, pavarësisht se ndikon tek ajo. Rama e tringëllin armën e Idrizit para syve të Metës, ndërsa Meta bën llogaritë e deputetëve që mund të rrëzojnë qeverinë për të shkuar në zgjedhje pa Ramën dhe sidomos pa Tahirin. Kështu hesapet e para 18 qershorit dalin më të mira edhe nëse LSI del vetëm në zgjedhje. Brenda LSI-së ka vërtet dy linja llogarish. Pro daljes me PS në zgjedhje me argumentin matematik të numrit te mandateve që do të përfitonin nga koalicioni dhe pro daljes vetëm, që do të thotë më pak mandate, por më pak rrezik nga aleati që punon kundër më fort se armiku, nga aleati që mezi pret të mos ia ketë nevojën LSI-së për të bërë një qeveri jo vetëm pa ta, por kundër tyre. Këtu fillon llogaria e Ramës. Që me Shpëtim Idrizin, Bamir Topin dhe dy parti të tjera që po krijon, mendon të heqë qafe LSI-në.

Me apo pa LSI në koalicion, ky projekt do të zbatohet. Me LSI-në në koalicion e ka më të lehtë, pasi siguron fitoren në tavolinë dhe mendon vetëm kundër LSI. Me këto vota Rama fitoi betejën e tretë që nuk do të jetë as e fundit as vendimtarja. Meta e pranoi humbjen dhe mori prej saj më të mirën, shkarkimin, jo dorëheqjen e Manjanit. Shkarkimin e zgjodhi edhe Rama me gëzimin që po vë në vend dinjitetin. Ndërsa Meta e pranoi me ftohtësinë e llogarive, me shkarkimin e Manjanit, Rama mund të quhet prishësi i koalicionit.

Ky ishte maksimumi që mund të merrte Meta nga beteja e humbur e një lufte që do ta ketë fundin në 18 qershor.

30 Janar 2017

Dy të vdekur nga tërmeti në Itali

Një tërmet prej 4 shkallësh goditi të hënën në mbrëmje ishullin turistik italian Ischia, jo larg brigjeve të Napolit, duke vrarë të paktën dy persona dhe duke plagosur 25 të tjerë.

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2