Rexhep Qosja rikthehet te opsioni i Dobrica Qosiç për Kosovën?!

Prof. As. Dr. Enver Bytyçi

Mediat e Kosovës kanë transmetuar një intervistë të akademikut shqiptar, Rexhep Qosja, në të cilën shkrimtari i njohur dhe i vetëshpallur si “babai i kombit” shpalos një projekt të tijin për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë. Sipas tij “Çështja serbe mund të zgjidhet duke u shkëputur një pjesë e Kosovës dhe duke u bashkuar Lugina e Preshevës me Kosovën”. Më tej ai vazhdon: “Në vizionin tim, Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen. Si do të zgjidhet problemi i veriut dhe Luginës së Preshvës varet nga ne dhe këmbëngulja, mençuria jonë. Por ne do të bashkohemi. Kjo nuk është vetëm në të mirën tonë, por në të mirën e të gjithë Ballkanit”. Dhe këtë lloj projekti e arësyeton kësisoj: “Tash për tash pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve është utopik dhe i pamundshëm. Në Serbi gjithmonë ka pasur një unitet të fuqishëm mes kishës dhe politikës. Në festat e Krishtlindjes, kleriku kryesor tha: “Në Kosovë kemi trupin dhe shpirtin dhe Kosova do të jetë serbe”.

Po ia paraqes lexuesit fjalë për fjalë kërkesën dhe arsyetimin e akademikut Rexhep Qosja marrë nga gazeta e Prishtinës “Express”, me qëllim që të mos lë asnje fije dyshimi e mos krijoj asnjë dilemë edhe te fansat e akademikut për autorësinë e propozimit të tij. Ndërsa arsyetimi që do të parashtroj në kundështi të projekt-propozimit të zotit Qosje, ka të bëjë thjesht me mendimin tim.

Rexhep Qosjen si emër, si shkrimtar, si patriot të servirur nga regjimi komunist në Shqipëri, e njoh që para viteve ’90. E njoha fillimisht nga romani i tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. Më vonë kam lexuar dhe libra të tjerë, sidomos të kritikës letrare, si “Panteoni i rralluar” e të tjerë. Ndërsa në tri volumet e përmbledhjes për kërkesat e shqiptarëve të botuar më 1990 nga Ramiz Alia, Rexhep Qosja zinte një vend të veçantë. Më vonë kemi mësuar diskursin e guximshëm të Ibrahim Rugovës në Lidhjen e Shkrimtarëve të Serbisë apo në mediume të ndryshme, pasiqë në Shqipëri Rugova eklipsohej prej Rexhep Qoses asokohe. Aq shumë e vlerësoja akademikun Qose, sa kur në korrik 1990 më ra në dorë një gazetë “Rilindja” dhe pashë një replikë të Arben Popocit me të, m’u duk pak e çuditshme. Pas dy-tri vitesh Arben Popoci do vinte në Tiranë e do të punonte te gazeta “Republika” e prej tij mësova shumë të vërteta.

Kjo njohje si dhe deklaratat e Rexhep Qosjes në “Zëri i Amerikës”, na bënë asokohe që të ishim idhtarë të tij edhe ne në Shqipëri. Na dukej si njeriu i urtë, që transmetonte mençurinë popullore me këshillat që jepte. Edhe qëndrimet e tij na dukeshin të ekuilibruara, aq sa u pranua plotësisht edhe prej antikomunistëve në Shqipëri dhe partia e parë opozitare. Madje gazeta e Partisë Demokratike mori emrin “Rilindja” të rekomanduar prej tij. Ishte një kohë kur kërkohej një fije bari për t’u kapur e për t’u kthyer shqiptarëve shpresën. Uji ishte turbulluar dhe sytë tanë nuk shihnin bregun për t’i shpëtuar rrjedhës. Prandaj u prirëm të kapeshim pas myshqeve dhe gurëve për t’i shpëtuar asaj. Një prej këtyre fijeve të barit, rezultoi më vonë të ishte akademik Rexhep Qosja.

Rexhep Qosja u pa fillimisht si shpresë, por shpejt mori anë dhe në vend të na fundoste ne, fundosi vetëveten. Ia hoqi vetes shumë shpejt aureolën e prijësit të fshatit të madh shqiptar, sepse iu kundërvu me të gjitha mjetet demokracisë dhe u shfaq hapur në mbrojtje të ideve neokomuniste, duke shkuar shpesh herë më larg se neokomunistët e duke promovuar diktatorin Hoxha. Dalëngadalë akademiku Rexhep Qosja i bindi shqiptarët vetë se nuk është ai akademiku i projektuar në mendjen tonë. Ndërsa në Kosovë e kishin njohur më mirë. Shqiptarët e Kosovës nuk ia dhanë kurrë ndonjëherë rol prijësi këtij akademiku fodull e arrogant jo vetëm në sjellje, por edhe në ide dhe mendimet e tij. Ai u bë skajshëm i neveritshëm dhe tani me rekomandimet e tij për ndarjen e Kosovës shfaqet njëkohësisht shumë i rrezikshëm. Po jo më pak të rrezikshme janë mediat që promovojnë idetë e tij shkatërruese për kombin shqiptar. Nuk e di përse nuk e lënë të japë intervista në gazetat e mediat e Beogradit, pasiqë idetë e Qoses dhe akademikut serb, Dobrica Qosiç janë identike, pa asnjë dallim me të njëjtin objekt: Ndarjen e Kosovës.

Rexhep Qosja ndarjen e veriut të Kosovës dhe kthimit të kësaj pjese të territorit shqiptar Serbisë e justifikon dhe motivon në mënyrë krejt të gabuar. Me demagogjinë dhe sofizmin e bashkimit kombëtar, ai elaboron humbjen e territoreve shqiptare, madje të pjesës më vitale dhe më të pasur të territorit të Kosovës e në të gjithë Ballkanin Perendimor. Ai e di se ka një numër të madh shqiptarësh, të cilët e duan bashkimin kombëtar, dhe këta nuk janë në gjendje të arësyetojnë bilancin e humbjeve dhe të asaj që fitojmë ne. Prandaj spekullon me idenë e bashkimit kombëtar.

Nëse keni vënë re, prej disa vitesh jam shprehur dhe shprehem se bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk është alternativë e këtij momenti, të cilin ne e kalojmë. Dhe këtë e bëj jo se jam kundër bashkimit, por se një bashkim me humbje të territoreve, të cilat sot i kemi në administrim, do të ishte një katastrofë e dytë kombëtare e shqiptarëve, pas asaj që ndodhi me vendimet e Konferencës së Londrës. Kushdo që pajtohet me humbjen e territoreve në emër të bashkimit kombëtar, siç bën akademiku Rexhep Qosja, ose është i rrjedhur ose është i shitur te djalli. Nuk ka asnjë arsye tjetër që dikush ndër shqiptarët, kushdo qoftë ai, të trembet nga ekzistenca e dy shteteve shqiptare dhe t’i qajë hallin botës se “nuk mundka të menaxhojë dy shtete”, siç shprehet Qosja në intervistën e tij te televizioni “Klan Kosova”.

Shtetet shqiptare duhet ta menaxhojnë veteveten. E nëse ne menaxhojmë veten, duke bashkëpunuar, bashkëvepruar, bashkërenduar politikat e zhvillimit, si dhe politikën e diplomacinë ndërkombëtare, nuk ka nevojë t’i ofrojmë Serbisë pasuritë e territoret tona që të na përkdhelë ambicjen qosjane të bashkimit kombëtar. Në fund të fundit Serbia është shprehur shumë qartë. Po citoj Daçiçin: “Për ne nuk ka rëndësi se bashkohen ose jo shqiptarët në një shtet të vetin, nuk ka rëndësi në sa shtete jetojnë ata, për ne ka rëndësi të bashkojmë serbët”. Nuk besoj se ka më qartë se kaq. Atë që thotë Qosja e thoshte fjalë për fjalë Dobrica Qosiç, por e thotë gjithashtu ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç. Kësaj skeme i shërben në ditët e sotme muri në veri si dhe provokimi me trenin nacionalist serb. E në javët në vazhdim do të shohim provkime të tjera për ta realizuar idenë e ndarjes së Kosovës, ide të cilën elaboron akademiku shqiptar, Rexhep Qosja. Kështu Qosja i bashkohet provokimit të Serbisë kundër Kosovës. Nuk ka lajthitje më të rrezikshme se kjo.

Mua më bën përshtypje se si është e mundur që akademiku i shndërruar në idol në periudhën 1989-1992, akademiku Rexhep Qosja, të konvergojë në të njëjtën tezë serbe, t’i bëhet patericë programeve të Serbisë për ndarjen e territorit të Kosovës dhe të kërkojë humbjen e territoreve tona?! Si është e mundur që një profesor, shkrimtar shqiptar, revokon idetë më regresive të së ardhmes së kombit shqiptar?! Si është e mundur që ky njeri t’i japë vetes të drejtën e faljes së tokave të shqiptarëve?! Nga i buron kjo ide, kush ia mëkon ende sot në këtë moshë të thyer?! Pleqtë tanë na thonin se “Burri ka gjithmonë kohë me u korit”! Mesa duket Rexhep Qosja nuk po don ta kalojë pleqërinë e tij pa u lënë shqiptarëve shijen e hidhur të “koritjes” në ekstrem, me tregëtinë e trojeve të vendit!

Por duket se idetë e Qosjes për ndarjen e territorit të Kosovës nuk vijnë kaq thjeshtë në vëmendjen e tij. Idetë e Rexhep Qosjes për gjoja shkëmbimin e territoreve, përveçse ide të Beogradit, vijnë gjithashtu në pajtim me idetë e drejtorit të Klan Kosovës, Baton Haxhiut, si dhe të të gjithë atyre që predikojnë “pajtimin (vëllazërimin) shqiptaro-serb”, pra edhe të Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë. A keni dëgjuar gjatë gjithë kësaj kohe kur Serbia po provokon ndarjen e Kosovës me dhunë, të flasë kryeministri ynë për këtë çeshtje?! E kemi lexuar në Twiter të shkruajë përralla se “Ushtria serbe do të vijë si turiste në Prishtinë”. Po nuk thotë se si vjen ajo në veriun e Mitrovicës?! Nuk shprehet aspak kryeministri shqiptar për këtë çeshtje, madje nuk e përmend as angazhimin e Prishtinës zyrtare për të ndalur provokimet me trena dhe provokimet me mure në veri të Kosovës. Nuk thotë asnjë fjalë për deklaratat luftënxitëse të kryeministrit dhe presidentit të Serbisë, madje e promovon homologun e tij serb si “një kryeministër tolerant, të moderuar dhe proeuropian”.

Zoti Rama flet në emër të një opcioni serb me mbështetje te qarqet antishqiptare në Europë për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb dhe të njëjtën gjë bën edhe Rexhep Qosja. Të dy e shohin zi zgjidhje ndarjen e territorit të Kosovës. Në emër të pajtimit, çka bie mirë në sy në deklaratën e Qoses, ata duan të shkohet te humbja e territoreve. Të dy, njëri pa zë e tjetri me zë e me figurë, predikojnë zgjerimin e territorit të Serbisë dhe ngushtimin e territoreve shqiptare të Kosovës! Çfarë komedie, e cila nëse nuk lexohet qartë nga ana e autoriteteve dhe qytetarëve të Kosovës mund të shndërrohet në një tragjedi për ta.

Nuk po elaboroj qasjen e Qosjes për bashkimin kombëtar, sepse këtë e kam bërë në shumë komente e analiza të miat. Nuk po ndalem në çeshtjet që hapin iniciativa të tilla në rajonin tonë. Dhe nuk dua ta besoj se një akademik shqiptar si Qose, është i gatshëm të shkatërrojë shtetin e Maqedonisë, pse këtë shkatërrim e duan serbët, grekët dhe bullgarët! Nuk dua ta besoj se Qosja dhe Rama duan gjithashtu shkatërrimin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës! Eshtë e pabesueshme që në Prishtinë dhe në Tiranë të ketë akademikë që rekomandojnë krijimin e Serbisë së Madhe dhe krijimin e një shteti minor shqiptar në territore të ngushtuara. Eshtë e paimagjinueshme se si akademikë shqiptarë, si Qosja, të kërkojnë t’i falin Serbisë ende sot pas 105 viteve, kur u copëtuan shqiptarët, territoret më të pasura si dhe qytete të mëdha shqiptare në Ballkan.

Nëse e vini re fjalën e cituar në fillim, akademiku Qosja në opsionin e tij për ndarjen e Kosovës i referohet patriarkut serb, Irinej, duke e cituar atë të thotë se Kosova është zemra e shpirti i Serbisë. Dmth, nëse Irinej, Nikoliç, Vuçiç, Shejsheli, Daçiçi, flasin për Kosovë e Metohi, atëherë ne duhet t’i japim zgjidhje kësaj dileme serbe dhe Kosovën ta mbajmë për shqiptarët e Metohinë t’ia dhurojmë Serbisë?! Nuk ka asnjë kuptim tjetër “zemërgjerësia” e Rexhep Qosjes për ta ngushëlluar e kompensuar patriarkun ultranacionalist të Serbisë me territoret shqiptare të veriut të Mitrovicës!

Do të doja të besoja se Rexhep Qosja tashmë ka rrjedhur, pra nuk dua të besoj se ai me vetëdije kërkon të shkatërrojë ëndërrën e shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Por nuk e shoh si një fenomen dhe rrezik të izoluar. Po aq i rrezikshëm është në këtë rrjedhje energjish tona kombëtare TV Klan Kosova dhe drejtuesi i saj, Baton Haxhiu. Sa kohë që këta “gjuajnë” të promovojnë ide, skema dhe opsione antishqiptare e proserbe, do të jenë një rrezik permanent yni. Dhe në fund, më i rrezikshmi ndër të rrezikshmit është dhe mbetet me aventurat e tij shefi i Baton Haxhiut në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama!

Këta nuk i shëron asgjë, as ndarja e Kosovës, as krijimi i Serbisë së Madhe. Këta punojnë që shqiptarët të përçahen, të kenë një perspektivë të mjergullt, të mos dijnë se çfarë do të jetë e ardhmja e fëmijëve të tyre. Lerini shqiptarët të besojnë te e ardhmja dhe ta shohin atë pa syzet e këtyre njerëzve, të cilët përveç përçarjes, mbjelljes së dëshprimit dhe amullisë, nuk dijnë të bëjnë tjetër!

22 Janar 2017

Madridi dënon “mashtrimin” në Katalonjë

Pavarësia e shpallur e Katalonjë dhe ndërkohë e pezulluar është një “farsë” që do të çojë në “përballje” ekonomike dhe sociale, deklaroi sot kreu i diplomacisë spanjolle.

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2