“Duaje urrejtjen e Trump”… ndaj Ramës

Enton ABILEKAJ

Reagimet në rrjetet sociale menjëherë pas zyrtarizimit të Donald Trump në krye të SHBA, treguan sa shumë ne shqiptarët besojmë tek Deus ex machina. Pasi politika, media dhe shoqëria janë dorëzuar, zgjidhjen për keqqeverisjen e shohim nga një mrekulli jashtë nesh. Trump në Shtëpinë e Bardhë shihet si një problem për Edi Ramën, si një mundësi që SHBA të ndërhyjë në politikën e brendshme të Shqipërisë, duke ia kthyer me të njëjtën monedhë kryeministrit të sotëm.

Politikanë e diplomatë shqiptarë dhe të huaj, janë kujdesur të shmangin spekulimin që bëhet duke konfonduar raportin e Ramës më administratën e re të SHBA, me marrëdhëniet mes dy vendeve. SHBA do të mbetet aleati kryesor i Shqipërisë, pavarësisht se kryeministri në detyrë deklaroi gjatë fushatës se marrëdhëniet do të prishen po fitoi Trump. I njëjti kryeministër deklaroi pas fitores së Trump se marrëdhëniet me SHBA do të forcohen. Pavarësisht kësaj shfaqjeje të shëmtuar të të njëjtit person, SHBA vazhdon të konfirmojë marrëdhëniet e mira me Shqipërinë, po është e pashmangshme që Rama të ketë vështirësi të mëdha me administratën e Trump. Vizita në Singapor në 20 janar e evidentoi më shumë këtë shqetësim. Deri tani kemi parë një Donald Trump që është kujdesur deri në detaje t’u përgjigjet ashpër gjithë kritikëve të tij, qofshin demokratë, republikanë, aktorë apo këngëtarë. Brenda dhe jashtë. Rama është një ndër ata që nuk e ka marrë akoma një përgjigje. Ndoshta nuk do ta marrë kurrë, por ngërçi do të mbetet. Ai nuk mund të sjellë përmirësim të marrëdhënieve me administratën e re, siç deklaroi pas 8 nëntorit duke përgënjeshtruar veten. Një akt pendese për ndërhyrjen e pavend mund të bënte më shumë punë në funksion të marrëdhënieve dypalëshe, por kryeministri u mjaftua me përgënjeshtrimin e vetes. Kjo situatë ka nxitur fantazitë e kundërshtarëve të tij, politikë dhe civilë për të parë rrëzimin e Rilindjes në zgjedhjet e 18 qershorit. Hakmarrja e Trump, vëmendja e tij ndaj çdo qëndrimi kundër, reagimi i menjëhershëm dhe i ashpër, mungesa e tolerancës që ai ka treguar dhe vazhdon të tregojë, nuk janë shqetësim për këtë grup kundërshtarësh, por shpresë. Një rast unik për të vënë në provë vlerat përballë interesave. Një sprovë e vështirë, që shumë opozitarë, brenda dhe jashtë opozitës kanë vendosur ta humbasin në favor në interesave.

Të lodhur dhe të zhgënjyer, me pak ose aspak besim tek opozita, media dhe gjithë faktorët e brendshëm që mund të ndryshojnë qeverinë apo mënyrën e qeverisjes, shohin tek marrëdhënia e keqe me administratën Trump pikën e dobët të Edi Ramës. Më shumë se tek votimi elektronik, më shumë se tek protestat, tek reagimi ndaj qeverisjes së keqe, ata besojnë tek SHBA. Edhe ata që nuk besojnë në vlerat që përfaqëson Trump, edhe ata që kanë frika se bota do të jetë më e keqe me të në Shtëpinë e Bardhë, bashkohen në një pikë me të tjerët, që e shohin shqetësimin e madh si një mundësi që do ta ndihmojë Shqipërinë pavarësisht se mund të dëmtojë ambientin përreth. Duket e shumë e vështirë që të bëhet më mirë për ne nëse rreth nesh bëhet më keq; duket shumë vështirë që Shqipëria të jetë më mirë nëse Europa bëhet më keq; duket shumë e vështirë të përfitojmë nëse SHBA mbyllet në problemet e veta apo përballet me një krizë të vështirë.

Fjalimi i të premtes, pas betimit, ishte parathënie e frikës që i gjithë Perëndimi ka për qeverisjen e Trump. Përgjigjet për të ardhmen janë dëshpëruese. Paqartësia, ishte zgjedhja absolute e gjithë pjesëmarrësve të Samitit të Davosit, për të ardhmen e afërt. Por dëshpërimi tek shqiptarët është më i madh se shqetësimi për vlerat që kanë zgjedhur si pjesë e Perëndimit.

“Duaje urrejtjen e Trump", ishin fjalët e fundit të Hilary Clinton në mitingun e fundit. Pakkush e mendonte që amerikanët do ta donin aq shumë ‘urrejtjen e Trump”, sa ta çonin në Shtëpinë e Bardhë. Clinton foli për urrejtjen ndaj vlerave që Perëndimi ka ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, por orteku i “urrejtjes Trump” iu drejtua klasës politike dhe asaj vetë dhe tani është drejtuar nga vlerat, me një inerci të frikshme. E njëjta urrejtje po qarkullon në Shqipëri, duke prekur edhe ata që nuk e duan Trump, por kanë nevojë që t’ia drejtojnë Ramës urrejtjen e tij. Ky është një tjetër dëm i Rilindjes.

22 Janar 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2