Edhe 175, Robert Ndrenika!

Përtej viteve që kalojnë, shpirti nuk njeh kohë dhe për publikun Shqiptar Robert Ndrenika, mbetet artist i madh, ende sot në 75-vjetorin e tij të lindjes.

Shtatlartë e me tipare te zeza e të bukura(tashme i thinjur), tipike tipare shqiptare e gjithmonë i goditur ne frazat dhe interpretimet e tij, Robert Ndrenika kujtohet nga të gjithë si artisti me shpirt të madh.

Ai është ndër të vetmit aktorë që rolin e luan me një sens të spikatur realist. Ndrenika është skicues i karaktereve të goditura. Përjetimi i tij është i thellë dhe tejet organik, buron dhe shkakton emocion.

Me një portret të dashur dhe zërin që di të futet në lëkurën e çdo personazhi, rolet e tij të shumta në numër të interpretuar gjatë jetës e bënë që të shpaloste shpirtin dhe botën e madhe brenda tij.

Një art që nuk blihet dhe nuk mësohet dot as nga praktika e jetës. I lindur për të qënë një yll në kinemanë dhe skenën shqiptare, përmes personazheve ai ka provuar të jetë në rolin e të gjithë karaktereve njerëzore.

E kemi parë gjithmonë duke dhënë mesazhe të mëdha në rolet e tij. Të gjithë e kanë dashuruar thjeshtësinë e tij, njeriun e munguar të të gjithë kohërave në jetën e përditshme.

Të gjithë e kanë dashur mënyrën e tij, kanë dashur sjelljen e tij, zërin e mbi të gjithë mirësinë që përçonte përmes imazhit të tij. Disa njerëz lindin për të jetuar përgjithmonë në memorien e kujtdo. Ndaj, të gjithë e kanë dashur dhe e duan Ndrenikën, të gjithë kanë qeshur e qarë bashkë me të nëpër role, të gjithë kanë dashur jetën e tij, ndaj edhe sot pas 75 vitesh jetë, për të gjithë publikun, janë shumë pak vite për të treguar madhështinë e tij!

Një marrëveshje e heshtur dhe shumë e ndjere ka ardhur ndër vite nga skena, përmes Ndrenikës, ndaj tërë publikut. Ai nuk e ka ndarë kurrë teatrin nga kinematografia, duke mos i vënë asnjëherë në peshore por ai është ndjerë mirë sepse për të të dyja kanë veçantinë e saj. Ai e quan të veçantë çdo gjë që bën nëse e bën me dashuri. Nuk ka shënuar kurrfarë ndarje mes këtyre gjinive të artit, siç është shprehur në një intervistë në 2013).

Gjithmonë modest por gjigand për sytë e çdo shqiptari, që çdo ditë kanë admiruar talentin e tij, mënyrën e tij, emocionin e tij.

I papërshkrueshëm në emocionet e mëdha që ka transmetuar e transmeton në çdo skenë.

Suksesi më i madh për aktorët në skenë është thjeshtësia dhe origjinaliteti ne rol. Kështu, të gjithë e kanë dashur dhe e duan këtë artist të madh gjatë tërë karrierës së tij, ndaj 75 vite sot nga jeta e tij janë pak për të gjithë ne!

Aktori i shquar i kinemasë dhe teatrit shqiptar, ka një veçori në interpretimet e tij, shumica e roleve të tij ishin personazhe që, në atë kohë(para viteve 90), cilësoheshin negative. Por mjeshtëria e jashtëzakonshme në interpretimin e këtyre personazheve nga Robert Ndrenika i gdhendi ata në mendjen e shikuesve aq fort sa vetë Roberti shpesh herë thirrej me emrat e personazheve të tij. Ai gjithmonë e ka parë armë të fortë mbështetjen ndaj artit, për zhvillimin e çdo shoqërie, edhe për Shqipërinë.

Ndrenika lindi në Tiranë, në 10 janar 1942. Talenti i tij spikati që në vitet e para të jetës, kur ai kultivonte pasionin e tij për teatrin në Shtëpinë e Pionerit në Tiranë. Pas përfundimit të gjimnazit “Qemal Stafa”, në vitet ai 1960-1964 nis studimet për aktor në Shkollën e Lartë “Aleksandër Moisiu”.

Nga ky vit, deri më 1970, punon si aktor në Teatrin “Skampa” të Elbasanit. Në vitet 1970-1974 punon si aktor në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), më pas në Teatrin Kombëtar, deri sa doli në pension.

Për shumë vite punoi si aktor i lirë (pas pensionit). Midis të tjerash, ka interpretuar: “Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu” i Lec Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, “Fytyra e dytë” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, “Shkallët” dhe “Shtëpia me dy porta” të Ruzhdi Pulahës, “Shumë zhurme për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” të Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe “Kopraci” të Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, “Dashuri e tillë” e Kohoutit, “Banja” e Majakovskit, “Arturo Ui” e Brehtit, “Vdekja e një komisioneri” e Millerit, “Vizita e damës plake” e Dyrrenmatit, “Magjia e madhe” dhe “Cilindri” të De Filipos, “Darka e të marrëve” e Veberit, “6 vjet shtatzënë” e Cikliropulosit, “Pulëbardha” e Anton Çehovit, “Histori zooparku” e Ollbit, etj.

Në vitin 1979 Ndrenikës i është akorduar titulli “Artist i Merituar” dhe në vitin 1988 titulli “Artist i Popullit”.

Është nderuar me Kupën për Aktorin më të Mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit, më 1994, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe”, te De Filipos dhe në Festivalin e Filmit te vitit 1979, për rolin e Prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”.

Për disa vite ka punuar si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe fjalës artistike, në degën e aktrimit, në Institutin e Lartë te Arteve.

Robert Ndrenika ka dy vajza. Ai ka pasur një histori mjaft të bukur dashurie me gruan e tij, Polikseni. Ai e adhuronte bashkëshorten e tij. Por edhe ajo e adhuronte të shoqin, që e shoqëronte gjithmonë në prova. Por pasi Polikseni u sëmur dhe vdiq, Robert Ndrenika e vuajti shumë largimin nga jeta të bashkëshortes së tij. Aq sa për katër vite nuk shkeli më në teatër.

Por në prill të vitit 2012 ai fitoi mbi vuajtjen dhe u rikthye fuqishëm teatrit me rolin e doktor Shuster.

Ai nderohet nga presidenti i asaj kohe, Bamir Topi me titullin “Nder i Kombit” ( ne 2012).

Ne 2014 ai futet në botën e një personazhi kapriçoz përmes premieres “Djemtë gazmore”, pjesë e shkruar nga shkrimtari amerikan Neil Simon

Ai u shpall aktori i vitit ne 2015 ku gjate marrjes së çmimit, publiku u ngrit në këmbë dhe duartrotiki gjatë në nder dhe respekt të tij.

Robert Ndrenika, “Artist i Popullit” meritoi çmimin vjetor nga Akademia e Artit dhe Kulturës “Kult”.

Robert Ndrenika përfaqëson jo vetëm nderin e dhe krenarinë e kombit por historinë e jashtëzakonshme të një njeriu të madh, që ka bërë histori përmes thjeshtësisë së madhështisë së tij.

10 Janar 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2