Prof. Gjovalin Shkurtaj: “Stavri Dajo, në hullinë e mjeshtrave të mëdhenj të përkthimit shqip”

Nga promovimi në Tiranë i përkthimeve të Stavri Dajos, romani “Zorba” i Nikos Kazantzakis dhe përmbledhjes me tregime “Të jesh i bukur dhe të vdesësh”, të Kostis Palamas.

Stavri J. Dajo është doktor i shkencave historike i Universitetit “Aristoteli” të Selanikut, studiues, përkthyes, dhe padagog i gjuhës shqipe, i njohur dhe si njeri i biznesit me banim në Selanik, Greqi.

Objekti i tij i studimit është historia bashkëkohore e Ballkanit dhe veçanërisht marrëdhëniet shqiptaro-greke pas Luftës së Dytë Botërore.

Ka botuar disa monografi studimore, ndër të cilat më e spikatur është: “Greqia dhe Shqipëria, 50 vjet mosbesimi reciprok, marrëdhëniet dypalëshe dhe minoriteti etnik grek 1945-1991” (Botime Literatus, 2015). Vepra tjetër “Konflikti Enver Hoxha – Josif B. Tito dhe përmasat ndërkombëtare të luftës civile greke, 1945-1949” (Selanik, 2005) i referohet faktorit shqiptar në evoluimet greke të kohës, sipas dokumentacionit arkivistik.

Dr. Stavri Dajo është pjesëmarrës në disa vepra të tjera kolektive me të njëjtën objekt studimi.

Vepër me rëndësi e tij konsiderohet studimi për këngët popullore të minoritetit etnik grek në Shqipëri (1997).

Stavri Dajo ka shqipëruar me sukses kryeveprën “Jeta e Aleksis Zorba” të Nikos Kazantzakis (Botimi i 1-rë 1996, botimi i 2-të 2001 dhe botimi i tretë ai që e kemi sot në dorë dhe po e përurojmë), e vlerësuar më të drejtë si punë shumë e kujdesshme dhe e zellshme, po edhe për cilësinë e shqipërimit e për pasurinë leksikore të shqipes.

Stavri Dajo është tashmë i mirënjohur në përkthimin e veprave letrare nga poetë, prozatorë, shkrimtarë e nobelistë të tjerë grekë dhe qipriotë.

Ka përkthyer, gjithashtu, dhe shkrimtarë shqiptarë në greqisht. Krahas Perikli Jorgonit, Niko Kacalidhës, Robert Goros, Luan Zykës, por edhe më të hershmit, Spiro Çomora, Aleks Çaçi, e deri tek Nonda Bulka, Stavri Dajo ka krijuar profilin e tij të veçantë, duke zotëruar e folur mirë edhe anglisht, italisht e frëngjisht.

Nisma të tij të guximshme ishin dhe dy përkthime veprash antologjike në të cilat morën pjesë dhe shumë krijues të tjerë të diasporës shqiptare në Greqi: “Antologjia e tregimit qipriot” (Tiranë 2003) dhe “Antologjia e poezisë qipriote” (Tiranë 2000).

Stavri Dajo, si studiues, përkthyes dhe intelektual i njohur, bashkëpunon me shtypin prestigjioz shqiptar dhe grek, ndërsa shpesh diskuton në mënyrë aktive në emisione të veçanta në kanale televizive greke dhe shqiptare duke dhënë mendime për çështje të ndryshme historike, të emigracionit, marrëdhëniet mes dy vendeve fqinjë, me akte e dokumente historike për periudha e kohë të ndryshme, për çështje të letërsisë shqiptare të diasporës, të gjuhës shqipe dhe asaj greke etj. Mendimet dhe ndihmesën e tij intelektuale e ka dhënë dhe për organizime shtetërore e bamirëse në Shqipëri, Kosovë, FYROM.

Sa herë ka qenë rasti, dr.Stavri Dajo nuk ka mënuar të dalë në mbrojtje të shqipes standarde dhe ka dhënë mendime të vyera për të kuptuarit dhe të vlerësuarit drejt të shqipes si tipari themelor i shprehjes dhe i mishërimit të kulturës kombëtare të kombit shqiptar.

Stavri Dajo është pronar i qendrës së aplikimeve gjuhësore dhe botimeve Literatus në Selanik. Ai është edhe anëtar shoqatës së krijuesve të Selanikut ”Dega e Blertë”.



***

Por, jo vetëm meqë dola në këtë foltore, por sepse e kisha bërë mendjen okë ta gjeja një rast për ta vlerësuar Stavrin si përkthyes dorëmbarë e të atillë që shkon krahas me më të mirët përkthyes që ka pasur gjuha shqipe, dola që të pohoj dhe ta theksoj idenë time se përkthimet e Stavri Dajos, bashkë me përkthimet e mira të yjësisë së përkthyesve shqiptarë e albanologëve të huaj, që po shtohen (dhe u shtofshin) krahas vlerave mirërfilli letrare a artistike, kanë edhe një vlerë shumë të madhe për gjuhën shqipe: për t’ia shtuar hiret e saj nëpërmjet kundruallësisë e përballimit të përkthimit në shqip të veprave të mëdha të letërsisë e të mendimit shkencor botëror, po edhe, kur përkthimi është nga shqipja në gjuhë të huaja,për t’ia shtuar kufijtë e njohjes letërsisë shqiptare e mendimit shkencor të shqiptarëve.

Stavri Dajo na ka dhënë përkthime veprash me rëndësi dhe që shkojnë në hullinë e mjeshtëve të mëdhenj të përkthimit, si Petro Zheji, Amik Kazaruho, Jusuf Vrioni, Donika Omari, Edmond Tupe, Jorgji Doksani, Shpëtim Çuçka, Pirro Misha etj

Pra, unë dola ta përgëzoj e ta lëvdoj Stavri Dajon, sepse ai është një nga ata, duke qenë gati gjithmonë mëtues drejt shqipërimit e jo “rob” i strukturave të gjuhëve të huaja prej të cilave përkthen, na ndihmon ta mbajmë gjallë e ta shtojmë traditën e mirë të përkthimit dhe shqipërimit nga gjuhët e huaja, jo vetëm në letërisnë artistike, po edhe në botimet studimore e shkencore, kulturore, fetare dhe në të gjitha fushat ku ka nevojë për njohjen e prurjeve dhe dijeve a të mbërriturave nga mbarë rruzulli e sidomos nga Evropa dhe Amerika. Rasti e kërkon të vlerësojmë sidomos ndihmesat e tij në përkthimin nga greqishtja në shqip të autorëve të mirënjohur, si Zorba dhe novelat e tregimet e Kostis Palamas “Të jesh i bukur dhe të vdesësh”.



***

Përkthimet e Stavrit ndjekin hullinë e mbarë të themelvënësve të përkthimit si art i fjalës (që nga Gjon Buzuku, te Kostantin Kristoforidhi, Fan Noli, Dom Simon Filipaj etj.) na ftojnë të shmangen përkthimet sa për të kryer punë, pa art e pa pa përgjegjësi.

Krahas vlerave të mëdha e të lëvdueshme, në fushën e përkthimit, këta njëzet vitet e fundit, për fat të keq, ka pasur edhe shenja të pamira të largimit nga tradita e vyer e shqipërimeve dhe përkthimeve të bukura deri në “përckthimet”, sikundër i quan me ironi Edmond Tupja, dhe sajesat dëmprurëse të përkthimeve sa për të mbaruar punë dhe me “google translate”.

Së mbrami, në mbyllje të kësaj kumtese modeste, do të shpreh idenë se vlerësimi i përkthimit dhe i përkthyesve duhet të meritojë vëmendjen dhe kujdesin shumë të madh të shoqërisë shqiptare, prandaj, po e ritheksoj propozimin që kam bërë edhe në Konferencën kushtuar përkthimit, të mbajtur në Prishtinë në qershor të vitit që po mbyllet, që, para se të jetë vonë, të themelohet edhe një institucion mbarëkombëtar kushtuar përkthimit, që mund të ishte edhe një Akademi Shqiptare, e cila të ketë si detyrë e synim kryesor përkrahjen, nxitjen dhe vlerësimine përkthimeve të mira,duke ideuar e jetësuar edhe një veprimtari të përvitshme të dhënies së mirënjohjeve e çmimeve për përkthimet më të mira.Po ashtu, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe me universitetet ku ka falultete të gjuhëve të huaja, të organizohet puna për kualifimin e përkthyesve dhe të redaktorëve për gjuhët kryesore të përkthimit,duke synuar e realizuar shtimin e kujdesit dhe të përgjegjësisë për gjuhën e përkthimeve në gjuhën shqipe në të gjitha fushat e jo vetëm në botimet e letërsisë artistike.

E përgëzoj me gjithë zemër Stavrin për zotësinë dhe punën e kujdeshme,që na kujton mjeshtrat e mëdhenj të gdhendjes, që e kërkon, e gjen dhe e lëmon fjalën me shumë hijeshi. I lumtë dhe suksese të mëtejshme.



*) Fjala e mbajtur nga Prof. Gjovalin Shkurtaj në ceremoninë e promovimit të përkthimeve të Stavri Dajos, romani “Zorba” i Nikos Kazantzakis dhe përmbledhjes me tregime “Të jesh i bukur dhe të vdesësh”, të Kostis Palamas.

Botuar me shkurtime në blogun e Bukinist.al

20 Dhjetor 2016

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2