Ronaldo fiton për herë të katërt “Topin e Artë”. U përgjigjet akuzave për evazion fiskal

TRIBUNA

Sulmuesi i Portugalisë dhe i Real Madrid, Cristiano Ronaldo, zyrtarisht është shpallur futbollisti më i mirë në botë për vitin 2016. “France Football” e ka shpallur atë më të mirin.

Ylli i Real Madrid, Cristiano Ronaldo ka fituar për herë të katërt Topin e Artë, duke mposhtur kështu Leo Messin dhe Antonie Griezmann.

Ronaldo këtë çmim e ka fituar pas një edicioni të jashtëzakonshëm me Real Madridin, ku fitoi Ligën e Kampionëve dhe Superkupën e Evropës, si dhe me Portugalinë, ku fitoi Euro 2016.

Ky është i katërti Top i Artë në karrierën e portugezit, ku tre i ka fituar me Realin dhe një me Manchester United-in.

Ai tashmë para vetës ka vetëm Messin, i cili ka fituar pesë Topa të Artë.



“Jam i pafajshëm. Herët a vonë do të dalë e vërteta”

Ronaldo, i intervistuar nga “France Football” foli edhe mbi akuzat që i janë bërë për evazion fiskal. Superylli portugez, që para disa ditësh publikoi deklaratën e vet tatimore, deklaroi se nuk kishte gjë për të fshehur dhe se nuk do të luante lojën e atyre që duan ta implikojnë në një skandal financiar.

“Sigurisht, është një procedurë e vështirë të cilës po i nënshtrohemi jo vetëm unë, por edhe familja ime, djali im, njerëzit që punojnë bashkë me mua. Publikimi i këtyre të dhënave në një farë mënyre hodhi hije në gëzimin tim për topin e artë. Do të ishte hipokrizi të them që nuk më intereson kjo që po ndodh”, tha Ronaldo.

“Ndjej dhimbje gjithashtu, pse e di që nuk kemi bërë diçka të keqe. Në burg shkojnë edhe njerëz të pafajshëm, dhe kështu ndihem unë. Mirëpo herët a vonë do të dalë e vërteta. Mund ta kuptoj kur të tjerët merren me jetën time private, me miqtë e mi, me pushimet e mia, me shoqen time. Ndërkaq, kur është fjala për një çështje kaq serioze, duhet të jepet drejtësi. Çështjen e kanë marrë në duar avokatët e mi”.

Sipas mediave spanjolle, Ronaldo akuzohet se ka derguar në ishujt Virgine –një parajsë fiskale e Karaibeve- një shumë prej 150 milionë eurosh nga të drejtat e imazhit të tij – një çështje që po hetohet për periudhën 2011-2013.

Për të forcuar argumentet e veta mbrojtëse, Ronaldo publikoi deklaratën tatimore të të ardhurave.

Më konkretisht, kompania që e përfaqëson, prezantoi të dhëna, sipas të cilave në vitin 2015 Ronaldo deklaroi të ardhura me vlerë 227,3 milionë euro, ndërsa e njëjta deklaratë tatimore është depozituar edhe pranë autoriteteve tatimore spanjolle. Dokumenti dëshmon se Ronaldo deklaroi të ardhura 23,5 milionë euro në brenda Spanjës dhe 203,7 milionë euro që i fitoi nga shfrytëzimi komercial i emrit të tij.

13 Dhjetor 2016

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2